Maqedoni

Këshilli i Prokurorëve Publikë: Janeva nuk e ka deponuar dorëheqjen me shkrim

01.08.2019 17:39

Vazhdojnë të shtohen dilemat nëse kryeprokurorja speciale në largim, Katica Janeva...

Vazhdojnë të shtohen dilemat nëse kryeprokurorja speciale në largim, Katica Janeva, dorëheqjen e saj të shpallur deklarativisht e ka dorëzuar në Prokurorinë Publike.
 
Kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë, Kole Shtervjov, ka thënë se mbetet e paqartë se pse Janeva edhe pas një muaji akoma nuk e ka deponuar dorëheqjen e saj në Këshillin e Prokurorëve.  
 
“Ne nuk mundemi të konstatojmë dorëheqjen vetëm në bazë të deklaratës së saj gojore. Duhet që e njëjta të dorëzohet edhe me shkrim. Nëse me të vërtetë dëshiron të japë dorëheqje, dihet procedura e dorëheqjes, se si janë rregullat sipas ligjit”,- ka theksuar kryetari i Këshillit të prokurorëve, Kole Shterjov.
 
Nga PSP nuk duan të komentojnë arsyet e veprimit të Janevës. Jozyrtarisht flitet se ajo nuk e ka marrë këtë hap, pasi nuk dëshiron të dëmtojë punën e prokurorëve të tjerë specialë në Prokurorinë Speciale Publike, që aktualisht punojnë në lëndë të caktuara e që janë në pritje të zgjidhjes së statusit për funksionimin e PSP-së në të ardhmen. 
 
Prokuroria nuk jep informacione sa i përket arsyes së formatimit të celularit të dytë të kryeprokurores speciale, i cili fillimisht u konsiderua si i humbur, e as lidhur me çështjen nëse pritet që të bëhet zgjerim i hetimeve për rastin “Zhvatja”.
 
Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar nuk ka shpalosur më shumë detaje nëse po heton kërkesën e Janevës për të fshirë apo pastruar kompjuterët në PSP-së. Ekipi i Ruskoskës pritet që ditëve në vijim të jetë në pushim vjetor, mirëpo, siç kanë theksuar nga atje, hetimi i rastit do të vazhdojë pas pushimeve.
 
Kohë më parë, kryeprokurori, Ljubomir Joveski, pohoi se në zhvatjen e biznesmenëve janë kyçur edhe disa persona të tjerë.
 
Hetimet e prokurorisë synojnë të vërtetojnë nëse ka ndonjë lidhje mes kryeprokurores speciale Janeva me dy të dyshuarit parësorë, respektivisht nëse Janeva është e keqpërdorur në rastin “Zhvatja” apo e involvuar në  mënyrë të drejtpërdrejtë.
 
REXHEP QAMILI