Dy ilindenët, Xhaferi nga Pelinca: Vullnet konkret për reforma për në BE

02.08.2019 14:12

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij para të pranishmëve në Qendrën memoriale të KAÇKM-së në Pelincë...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij para të pranishmëve në Qendrën memoriale të KAÇKM-së në Pelincë, u përqendrua në të kaluarën historike të ndërtimit të shtetit, ku të gjithë popujt janë meritorë, por nuk la pa përmendur  vështirësitë dhe sfidat me të cilat vendi po ballafaqohet në këto dy vitet e fundit. Numri një i Kuvendit potencoi edhe vështirësitë në rrugëtimin e vendit drejt strukturave euroatlantike, duke mos dashur të drejtojë gishtin vetëm te një strukturë politike. Nevojitet vullnet konstruktiv e jo vetëm fjalë boshe, tha Xhaferi. 

“Dy vitet e kaluara kanë qenë vitet më të nxehta në historinë e vendit, sepse kjo periudhë ka qenë koha në të cilën janë sjellë vendime shumë të rëndësishme që kanë debllokuar rrugën tonë eurointegruese. U kthyem në rrugën e shpejtë për eurointegrim europian të vendit dhe tani kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë e kemi për obligim që ta ruajmë dhe ta zhvillojmë për ne dhe për brezat e ardhshëm. Ky është borxhi ynë ndaj të gjithëve që luftuan, për shtet të këtillë, qytetarë, shoqëri për të gjithë qytetarët në të cilën do të rriten fëmijët tanë, nipat dhe gjeneratat e ardhshme, që meritojnë të jetojnë, rriten, arsimohen dhe krijojnë në Republikën evropiane të Maqedonisë së Veriut, bashkëkohore dhe shtet me prioritet i qytetarëve evropianë”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

JEMI FËMIJË TË ILINDENIT, KONCEPT QË BASHKON

Përkujtoi se dy ilindenët janë dy shtyllat mbi të cilat u themelua shteti ynë i përbashkët dhe ideali i paraardhësve tanë duhet të jetojë edhe më tej.

“Të gjithë jemi fëmijë të Ilindenit, është koncepti më i drejtë që përshkruan vlerat tona të përbashkëta të cilat ne së bashku i festojmë, ato janë vlera që na bashkojnë dhe na bëjnë krenarë dhe qytetarë të barabartë të vendit tonë të përbashkët.... Asnjë periudhë nuk ka qenë e lehtë, por dëshira e popujve ka bërë që sot të gjithë ta ndërtojmë këtë vend, drejt NATO-s dhe BE-së. Historia qartë e ka determinuar rrugën mbi të cilën duhet të ecim, e ajo është ndërtimi i një shtëpie të përbashkët për të gjithë”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Slogani “Të gjithë jemi fëmijë të Ilindenit” për festimin e sivjetmë është zgjedhur nga Qeveria në bashkëpunim me Parlamentin, me qëllim që të reflektohet koncepti i vlerave të përbashkëta të cilat, siç potencon Qeveria, na bashkojnë dhe na lidhin, na bëjnë krenarë dhe të bashkuar në shtetin tonë të përbashkët.

Në pjesën festive të eventit mori pjesë edhe Shoqëria Kulturore Artistike “Bajram Shabani” me vallen e Shotës. (Fitim Kryeziu, TVM2)