Rëndësia e shqiptarëve në kryengritjen e Ilindenit, Asani: Të mbështeten hulumtimet për këtë periudhë

02.08.2019 16:16

Në historiografi nuk është zbardhur mjaftueshëm se çfarë përmban opusi faktografik...

Në historiografi nuk është zbardhur mjaftueshëm se çfarë përmban opusi faktografik për Kryengritjen e Ilindenit dhe rëndësinë e shqiptarëve në atë periudhë, thotë për TVM2 historiani, Skender Asani.

Sipas tij, në bazë të statistikave historike në Krueshevë, shumica dërrmuese e popullatës kanë qenë shqiptarë të besimit islam dhe ortodoks, sipas të cilit bashkëpunimi i ndërsjellë i shqiptarëve me popujt tjerë ka rezultuar që me sukses t’i kundërvihen Perandorisë Osmane dhe të shpallet Republika e Krushevës.

Asani më tej shton se bashkëpunimi mes popullsisë lokale dhe ndarja proporcionale e pushtetit ka qenë model shumë i mirë, andaj shembullin e saj duhet ta ndjekë edhe politika e sotme që synon integrimet euroatlantike.

“Model tepër i mirë janë vendimet e Republikës së Krushevës, ku është ndarë pushteti në mënyrë proporcionale, sepse vetëm kështu Maqedonia mund të synojë të integrohet në proceset euroatlantike dhe të pengojë çdo tendencë të shpërbërjes së këtij shteti”,- tha historiani, Skender Asani.

Sipas Asanit, Qeveria duhet të mbështesë hulumtimet për të zbardhur tërë opusin e Kryengritjes së Ilindenit, si dhe kontributin e shqiptarëve për këtë kryengritje.

“Duhet të formohen ekipe, të hulumtohen arkivat, të dokumentohen dokumentet që ekzistojnë. Qeveria duhet të mbështesë si interes shtetëror, si interes për një kahje të duhur të Maqedonisë, sepse është një model që mund t’i shërbejë Maqedonisë aty ku synon dhe pa argumente, pa verifikimin e fakteve. Ne mund të hedhim poshtë ose ta ekzagjerojmë, por jo të jetë afatgjate, sepse nuk është hulumtuar sa duhet kjo kryengritje dhe është një defekt i madh se historiografia shqiptare nuk është studiuar aq sa duhet apo fare këtë kryengritje”,- u shpreh historiani, Skender Asani.

ITSHKSHM në bashkëpunim me Qendrën Akademike të Tiranës, planifikon të botohen mijëra dokumente të kësaj periudhe, thekson Asani, andaj ai kërkon mbështetje nga Qeveria që sa më shpejt të nxirret në pah kontributi i shqiptarëve në këtë periudhë. (Flutura Latifi, TVM2)