Maqedoni
Ekspertët diskutojnë ndryshimet kushtetuese
10.09.2014 16:42
Ndryshimet kushtetuese duhet të jenë rezultat i konsensusit politik dhe shoqëror, nuk mund të jenë të pjesshme dhe nuk duhet të miratohen pa opozitën...

Madje vendi ndoshta ka nevojë për një Kushtetutë tërësisht të re. Në debatin e parë publik rreth ndryshimeve kushtetuese, ekspertët sot vlerësuan se që nga miratimi i Kushtetutës fillestare e deri tani janë ndryshuar një e katërta e Amendamenteve të saj, ndërsa harmonizimi i normativave kushtetuese dhe ligjore me legjislacionin e BE-se diku është bërë mirë e diku pjesërisht dhe ndryshimet kushtetuese krijojnë shumë probleme në sistemin kushtetues dhe juridik.
“Përshpejtimi i procesit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjeve dhe Kushtetutës, e imponuar me dinamikën e procesit integrues dhe harmonizimi i sistemit kushtetues me atë të BE-së, krijon probleme të shumta në kohezionin dhe funksionimin e sistemit kushtetues dhe juridik. Analiza e zhvillimit të saj në këto 23 vite pavarësi ka shënuar përparim, por edhe shumë dobësi”- deklaroi kryetari i ASHM-së, Vllado Kambovski.
“Organet e pushtetit që janë kompetent për miratimin e Kushtetutës, duhet të mendojnë se vallë a është e nevojshme që Maqedonia të mendon për një Kushtetutë të re. Në qoftë se mendon dhe duhet patjetër të miratohet një Kushtetutë e re, atëherë patjetër në ndryshimet e saj ose në Kushtetutën e re, në tekstin e saj, në pjesën normative të saj do të ketë ndryshime rrënjësore edhe për pozitën kushtetuese juridike dhe politike të shqiptarëve në Maqedoni. Çështja e fundit kur është në pyetje ndryshimi i këtyre Amendamenteve, a mund Kuvendi pa opozitën t’i miratojë ndryshimet e Kushtetutës, sepse nëse ai miratohet vetëm me bllokun e partive që janë në pozitë, ato humbin nga autoriteti i së drejtës”- theksoi profesori universitar, Osman Kadriu.
Por, ndryshe nga ata mendon profesoresha universitare, Tatjana Karakamisheva. Në debatin e ekspertëve të fushës, ajo ishte e vetmja që mbështeti Projekt-Amendamentet e Qeverisë.
“Konsensusi është çështje politike që në një moment mund të mos ekzistojë, e më pas të ekzistojë. Por, legjitimiteti i qytetarëve dhe besimi i dhënë për disa çështje që janë pjesë e programit të koalicionit qeverisës, nuk guxon të jetë e rëndësisë më të ulët vetëm pse nuk ka konsensus më të gjerë politik, para së gjithash konsensus partiak”- potencoi profesoresha universitare, Tantjana Karakamishva.
Qëndrim të ashpër ndaj intervenimeve në Kushtetutë kishte profesori, Vllado Popovski, i cili është pjesë e grupit që kanë shkruar Kushtetutën.
Debati publik rreth ndryshimeve kushtetuese do të zgjasë 30 ditë, më pas ndryshimet kushtetuese kthehen në Qeveri dhe në fund në Kuvend, ku pritet edhe të miratohen deri në fund të tetorit.
SANIJE KASAMI
