Pendarovski: Të gjithë së bashku drejt ardhmërisë evropiane

02.08.2019 17:31

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, nga vila Vodno ftoi qytetarët që të bashkohen të gjithë....

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, nga vila Vodno ftoi qytetarët që të bashkohen të gjithë, pavarësisht nga dallimet e tyre, me qëllim, siç u shpreh ai, të transformimit të Maqedonisë së Veriut në shtet të përparuar, anëtar në NATO dhe BE.

Në kuadër të kompetencave si kryetar, do të bëj gjithçka që është e mundur që t’i mbroj qytetarët e vendit, tha Pendarovski.    

“Sa më shumë kemi dallime, aq më e pasur është kultura jonë dhe më i madh është horizonti i mundësive, por e gjithë kjo varet nga ne sa dhe a jemi të përgatitur ta respektojmë dallimin dhe ta pranojmë si bazë për jetën tonë të përbashkët. Për këtë qëllim, t’i tejkalojmë ndarjet historike dhe konfrontimet politike të panevojshme, t’i bashkojmë të gjithë flamujt tanë dhe simbolet pavarësisht nëse janë etnike, fetare, ideologjike, partiake apo të gjeneratave, të bashkohemi në një front në realizimin e qëllimit tonë të vetëm, transformimin e RMV-së në vend të përparuar evropian, anëtar të NATO-s dhe BE-së, të ndërtojmë shtet demokratik në të cilin suksesi i njërit nuk do të jetë në kurriz të të tjerëve, të ndërtojmë shtet ku ligjet do të vlejnë për të gjithë qytetarët njësoj”,- tha kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski.

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, qytetarët kishin guximin që të përballen me të keqen më të madhe të shekullit, ndërsa sfida e radhës mbetet pajtimi i qytetarëve, alternativë tjetër nuk ka, nënvizoi Pendarovski.

“Sfida më e madhe për ne sot është pajtimi, qytetarë, ndërsa rrugën deri te pajtimi e sjell drejtësia e bazuar në të vërtetën, ndërsa për drejtësi të vërtetë është i nevojshëm sundimi i së drejtës dhe kjo patjetër duhet të jetë vlera jonë thelbësore për të cilën nuk duhet të bëhet kompromis. Vetëm pajtimi i qytetarëve i bazuar në drejtësi dhe përgjegjësi  do të na kthejë besimin e ndërsjellë dhe do të na mundësojë të ndërtojmë shoqëri të përparuar dhe europiane, ku çdo njeri do të ndjehet i vlerësuar njëjtë. Nuk ka alternativë tjetër”,- u shpreh kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski.

Presidenti Pendarovski tha gjithashtu se vlera themelore e shtetit duhet të mbetet sundimi i së drejtës, për të cilën, sipas tij, nuk duhet të ketë kompromis.  (Naim Ramadani, TVM2)