Rasti “Trust”, biznesmeni Koçan prapa grilave të Idrizovës
Dita e mbrëmshme për biznesmenin, Sead Koçan, ishte e fundit në liri....

Dita e mbrëmshme për biznesmenin, Sead Koçan, ishte e fundit në liri. Pjesëtarët e njësisë speciale “Alfa” mbrëmë në kryeqytet e arrestuan dhe e shoqëruan Koçanin deri në burgun e Idrizovës, ku ka për të vuajtur dënimin prej 4 dhe 8 muaj burg.
“Pasi u mor i gjithë dokumentacioni në lidhje me kërkesën e re për shtyrje për vuajtjen e dënimit me burg të një prej të pandehurve në çështjen “Trust”, gjykatësi sanksionues solli vendim për mospranim të kërkesës dhe urdhëroi që personi i dënuar të shoqërohet menjëherë në institucionin kompetent”,- thuhet në një kumtesë nga gjykata.
Biznesmeni Koçan është i dënuar në rastin “Trust” për shkak të manipulimeve për marrjen e tenderit nga ELEM prej 17 milionë eurove, duke treguar dokumentacion të rrejshëm. Ai fillimisht u dënua me 6 vite burg, por Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 4.8 muaj.
Gjykata për zbatim të sanksioneve pranë Gjykatës Penale - Shkupi 1, e refuzoi kërkesën e dytë përmes së cilës Koçan kërkoi t’i shtyhet fillimi i vuajtjes së dënimit për arsye shëndetësore.
Në këtë drejtim, edhe Ministria e Shëndetësisë pas arrestimit të tij ka dalë me komunikatë, ku verifikon se i dënuari, Sead Koçan, nuk ka nevojë për trajtim spitalor ndaj tij. (Rexhep Qamili, TVM2)
