Maqedoni
Luboteni ende vazhdon të jetë pa ujësjellës
10.09.2014 16:47
Shkupjanët kryesisht e pinë ujin e burimit të Rashçes, që për nga cilësia është radhitur i dyti në Evropë pas kryeqendrës austriake, Vjenës...

Shkupjanët kryesisht e pinë ujin e burimit të Rashçes, që për nga cilësia është radhitur i dyti në Evropë pas kryeqendrës austriake, Vjenës.
Por, jo të gjithë shkupjanët mund ta shijojnë ujin e cilësisë së lartë që vjen nga Rashçja. Banorët e Lubotenit nuk janë pjesë e Ujësjellësit të Shkupit.
Me vetorganizim, ata njëherë e sollën ujin në fshat, por tani pishina është ndotur, prandaj uji nuk mund të përdoret për pije.
Si alternativë mbetet kroi i fshatit. Banorët ka kohë që kërkojnë pastrim dhe filtrim të ujit të Ujësjellësit.
"Ne prej Ujësjellësit nuk pimë as nuk lajmë, vetëm prej këtij. Arsyeja se nuk është i filtruar edhe atje lart që është vetëm bazent, lopët, kafshët, krejt hyjnë brenda dhe ai ujë nuk është as për tu pirë, e as për të larë, as për kurrgjë, shumë është pisllëk i madh"- u shpreh një banor.
"Unë si nxënës jam i detyruar të vij këtu, sepse uji në shtëpi nuk është i pijshëm"- tha një nxënës.
A vini çdo ditë të mbushni ujë?
“Po, çdo ditë vijmë. Varet prej nevojave, 3 herë, 4 herë, 5 herë në ditë. E përdorim për pije, për ushqim, për gjellë. Ujësjellës ka ama nuk bën, ai ujë është i prisht, krejt pleh, si ujë i kanalizimit. S’ka prej atij uji kurrgjë, veç çka mundesh me u sëmurë. Komuna kurrë një herë nuk ka investuar për ujin tonë"- deklaroi një banor.
Derisa lubotenasit ankohen se Komuna nuk u kushton vëmendje, drejtori i Ujësjellësit bën të ditur se burimi i Rashçes ka ujë të mjaftueshëm jo vetëm për të furnizuar pjesën ku shtrihet aktualisht Ujësjellësi, por edhe për të shtrirë rrjetin në pjesë të tjera të Shkupit, pse jo edhe në Luboten.
"Shkupi është qytet që rritet shpejt. U ndërtua shumë në 10 vitet e fundit, si qendra ashtu edhe rrethina. Rrjeti i Ujësjellësit është rreth 1300 kilometra dhe rritet çdo ditë. Tani për tani i plotësojmë nevojat me burimin e Rashçes. Në raste të jashtëzakonshme ndodh t’i përdorim si variant rezervë edhe për banorët në Lepenc dhe Nerez"- theksoi drejtori i Ujësjellësit, Bojan Vasilevski.
Dhe derisa Ujësjellësi thotë se Shkupi ka ujë mjaft, banorët e Lubotenit dhe fshatrat e tjerë që nuk furnizohen nga Ujësjellësi kryesor shpresojnë se Pushteti Lokal do tu kushtojë më shumë vëmendje për të zgjidhur çështjen e ujit për pije, deri atëherë si alternativë u mbetet kroi i fshatit.
GYLTENE SINANI
