Basketboll

SHBA dhe Lituania në gjysëmfinalen e parë të botërorit në basketboll

10.09.2014 16:56

Shtetet e Bashkuara dhe Lituania janë dy ekipet e para gjysmëfinaliste të Kampionatit Botëror të basketbollit që po zhvillohet në Spanjë...

Gjithçka e thjeshtë për SHBA-në, që shkatërroi 119-76 Slloveninë dhe i bëri vetes një vend mes katër më të mirave të botës.

Pas një pjese të parë të ekuilibruar, të mbyllur në epërsi 49-42, amerikanët shpërthyen pas pushimit dhe arritën suksesin e merituar falë 20 pikëve të Klei Tompsonit dhe 14 pikëve e 10 kërcimeve të Fariedit.

Sllovenëve, nuk u mjaftuan 13 pikët e yllit të Feniks Sansit, Goran Dragiç. Kundërshtari i Shteteve të Bashkuara në gjysmëfinalen e të enjtes do të jetë Lituania, që eliminoi në çerekfinale Turqinë.

73-61 ishte rezultati i triumfit të përfaqësueses balltike, që erdhi pas një periode të fundit të shkëlqyer e sidomos falë paraqitjeve të jashtëzakonshme të Seibutisit me 19 pikë dhe Valanciunasit me 12 pikë e 13 kërcime.

Për Turqinë, që gjithsesi mbylli një Botëror të mirë pas dështimit në Evropianin e vitit të shkuar, nuk mjaftuan 13 pikët e Gonlumit, 12 të Arslanit dhe 11 të Ashikut.