Ligji për PThP-në, Zaev: Askush nuk do të amnistohet
Kryeministri, Zoran Zaev, i është drejtuar qytetarëve të vendit....

Kryeministri, Zoran Zaev, i është drejtuar qytetarëve të vendit, duke i njoftuar ata me vendosshmërinë e tij dhe të Qeverisë për t’i shtyrë përpara ndryshimet të cilat kanë të bëjnë me propozim ligjin e ri për Prokurorinë Publike dhe fatin e Prokurorisë Speciale Publike, duke mos i ofruar amnisti askujt para ligjit.
Zaev potencoi se është i vendosur që këtë ligj ta shtyjë përpara edhe në procedurat kuvendore, sepse, sipas tij, është e pamundur të gjendet gjuhë e përbashkët me opozitën maqedonase.
“Ne jemi para hapit përfundimtar për ta çliruar gjyqësorin nga regjimi që është pas nesh. Përgjegjësia e politikanëve është e madhe në këtë luftë për shtetin e së drejtës. Por, përgjegjësi më të madhe ka subjekti që i shkaktoi padrejtësi më të madhe këtij shteti, dhe Mickovski si udhëheqës i këtij subjekti politik. Unë e di se ju jeni të lodhur nga bojkotimet politike dhe ju po kërkoni hapa konkretë. Për atë shkak unë do të filloj edhe më intensivisht që ta bindi opozitën që ajo t’i pranojë ndryshimet në sistemin e drejtësisë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Është koha që të mposhtet shteti “i kapur”
Sipas Zaevit, tani është koha kur të gjitha subjektet duhet të tregojnë përgjegjësi para vendimeve të rëndësishme dhe kërkoi një unifikim të tërësishëm jo vetëm të subjekteve politike, por edhe të qytetarëve, dhe t’i përkrahin ndryshimet të cilat po ndodhin.
“Tani është koha kur drejtësia po ngjitet në skenë, është koha kur nuk duhet të kursejmë mundin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sepse askush nuk është i privilegjuar dhe nuk do të jetë i amnistuar. E frymëzojmë Prokurorinë Publike që të vazhdojë me hetimet e tyre ndaj të gjithë atyre të cilët kanë shkelur ligjin, pa marrë parasysh kush është dhe te kush do të arrijë. Kjo është koha kur duhet përfundimisht të mposhtet shteti i kapur”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Këto prononcime të kryeministrit Zaev vijnë pas dështimit të radhës të grupeve negociatore me opozitës maqedonase të VMRO-DPMNE-së të kryesuar nga deputeti i kësaj partie, Antonio Milloshovski, dhe pjesës së Qeverisë të kryesuar nga Ministra e Drejtësisë, Renata Deskovska.
Pas takimit të fundit të dy kryesuesit potencuan se janë shumë larg një zgjidhjeje eventuale, duke kritikuar njëra-tjetrën për mos gatishmëri të gjetjes së zgjidhjes. (Fitim Kryeziu, TVM2)
