Rasti “Morina”, Ministria e Drejtësisë pret mendimin e Gjykatës për ekstradim
Në Gjykatën Penale në Shkup ka arritur kërkesa e palës serbe përmes Ministrisë së Drejtësisë.....

Në Gjykatën Penale në Shkup ka arritur kërkesa e palës serbe përmes Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina.
Pas pranimit të dokumentacionit të nevojshëm, gjykata tanimë do të duhet të përpilojë mendim pozitiv ose negativ për ekstradimin e Morinës në Serbi. Paraprakisht Gjykatës Penale do t’i nevojitet edhe mendimi i Prokurorisë Publike dhe nëse do të nevojitet për dokumentacion shtesë, e njëjta do ta kërkojë nga organet tjera përkatëse. Nuk janë parashikuar afate kohore se sa kohë mund të zgjasë shqyrtimi i kësaj kërkese, por dihet se fjalën përfundimtare për rastin “Morina” do ta ketë Ministria e Drejtësisë.
Dy javë më parë, Tomor Morina u ndalua në vendkalimin kufitar Bllacë me fletëarrest nga Interpoli dhe ai tashmë ndodhet në paraburgim në burgun e Shutkës. Në kërkesën e palës serbe për ekstradim, Morina kërkohet si i dyshuar dhe se ka kryer krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë.
Përfaqësuesit e Kosovës tashmë janë prononcuar se nuk do të lejojnë që ai të ekstradohet, pasi që Morina është shtetas i Kosovës. Në këtë drejtim edhe kryeministri Zaev ka thënë se për rastin e Tomor Morinës vlen e drejta ndërkombëtare dhe ajo vendore. (Rexhep Qamili, TVM2)
