Ndërtimet në Matkë, Antikorrupsioni: Kallëzim penal për kryetarin

05.08.2019 17:04

Antikorrupsioni në mbledhjen e sotme ka vendosur t’i bëjë kërkesë....

Antikorrupsioni në mbledhjen e sotme ka vendosur t’i bëjë kërkesë  Prokurorisë që të ngrejë kallëzim penal kundër kryetarit të  komunës së Sarajit, pasi ai, siç thanë nga Antikorrupsioni, nuk e ka mbrojtur Matkën nga platformat ilegale. Antikorrupsionerët kanë konstatuar se kreu i komunës, Blerim Bexheti, edhe përkundër asaj që ka pasur obligim ligjor që të refuzojë kërkesat për legalizim të objekteve të përkohshme, ai nuk ka vepruar.

"Propozoj që Komisioni të marrë iniciativë që të fillojë një procedurë për ndjekjen penale të kryetarit, sepse ai nuk iu përgjigj kërkesave, ndërsa t'i rekomandojë Qeverisë dhe Ministrisë së Transportit t’ia marrin kompetencat Inspektoratit për Ndërtim. Kjo është në përputhje me nenin 145 të Kodit të Ndërtimit. Gjithashtu rekomandojmë që Qeveria të obligojë Ministrinë e Mjedisit që sa më shpejt të përgatisë një projektligj për shpalljen e Kanionit Matka si një monument natyror",- tha kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.

Lidhur me ndërtimet e egra në Matkë, kreu i komunës së Sarajit në një deklaratë për media pati deklaruar se platformat që janë ndërtuar në Matkë do të rrënohen atëherë kur të thotë Ligji, duke premtuar se do t’i respektojë të gjitha procedurat ligjore.

Nga Antikorrupsioni informojnë se është formuar lëndë edhe për ndërtimet pa leje në Ohër, si dhe për tenderin e kontestueshëm të sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragan Rashkovskit, për furnizimin e sistemit për radarë nga kompania  M-NAV. (Naim Ramadani, TVM2)