Maqedoni

MO, deklaratat e Tiranës “trondisin” Shkupin

10.09.2014 17:31

Paralajmërimet e presidentit, kryeministrit dhe shefit të Diplomacisë së Shqipërisë, se Maqedonia kusht të domosdoshëm për integrimet e saj euro-atlantike...

Paralajmërimet e presidentit, kryeministrit dhe shefit të Diplomacisë së  Shqipërisë, se Maqedonia kusht të domosdoshëm për integrimet e saj euro-atlantike e ka edhe implementimin e plotë të MO-së, analistët politik në vend i komentojnë me qëndrime tërësisht të kundërta.
 
Albert Musliu, deklaron se nuk është dramatike që Shqipëria ka reaguar, sepse me faktin që është anëtare e plotfuqishme e NATO-s, ka të drejtë dhe obligim që anomalitë që paraqiten në shtetet aspirate t’i komentojë dhe të japë sugjerime, sidomos ndaj Maqedonisë, në të cilën komuniteti i dytë më i madh janë shqiptarët.
 
“Është pak jotradicionale për Diplomacinë e Maqedoninë ose për shoqërinë maqedonase këtu që reagimet e Shqipërisë të jenë aq të drejtpërdrejta, por është diçka me të cilën ato duhet të mësohen. Unë mendoj se nuk kanë munguar edhe në të kaluarën, mundet një pjesë të reagimeve të institucioneve shqiptare nuk kanë qenë të mbuluara edhe nga mediet, nga ana tjetër mundet reagimet nuk kanë qenë edhe aq të drejta, por komentet të të gjitha institucioneve të Shqipërisë, si të kryeministrit Rama, presidentit Nishani dhe ministrit të Jashtëm, nuk i shoh si komente të këqija”- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
 
Analisti Musliu ka shtuar se Maqedonia duhet të jetë e vetëdijshme që nëse ka probleme, ato probleme do të komentohet sidomos prej Shtetit shqiptar, i cili është i detyruar edhe me Kushtetutë që të reagojë për të gjithë problemet të cilat shqiptarët i kanë kudo që ata jetojnë. 
 
Por, ndryshe mendon analisti politik, Nano Ruzhin. Ai thotë se kritikën e tillë ndaj Maqedonisë mund ta jepnin vendet anëtare më të vjetra të NATO-s, si: Franca, Anglia, Greqia e Turqia, ndërsa Shqipëria si vend fqinj duhet të sugjerojë dhe të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, siç ka qenë në vitet e fundit mes këtyre dy vendeve.
 
“Për fat të keq, mendoj se kjo me Shqipërinë është e panevojshme dhe se do të duhet të ketë një takim të nivelit më të lartë, ku dy kryeministrat do të konstatonin elemente pozitive dhe që përfundimisht Shqipëria duhet sa më tepër ta përkrah Maqedoninë për afrimin në NATO dhe jo të vendosë kushte”- theksoi analisti politik, Nano Ruzhin.
 
Fillimisht ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, që kërkoi zbatimin pikë për pikë të Marrëveshjes së Ohrit, më pas edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, potencoi se  kriteri për implementimin e MO-së nga Maqedonia është trupëzuar në deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s dhe implementimi sa më i mirë i MO-së do të ishte garanci më e madhe për një Maqedoni stabile.
 
Dhe në fund, vetë presidenti, Bujar Nishani, në takim me komisionerin e lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Astrid Thors, potencoi se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është e vetmja alternativë e bashkëjetesës harmonike në Maqedoni.
 
MEFAIL ISMAILI