Zgjedhjet e parakohshme, Mehmeti: Opozita dëshiron të rikthejë pushtetin
VMRO-DPMNE me propozimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare....

VMRO-DPMNE me propozimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare në prill ose maj të vitit të ardhshëm, ka për qëllim të krijojë një element plotësues dramatik sa i përket punës së pushtetit, ndërkaq të ngrisë veten në avantazh para opinionit publik.
Analisti politik, Ibrahim Mehmeti, vlerëson se opozita kërkon zgjedhje që sa më shpejtë të kthejë pozicionin e humbur. Sipas Mehmetit, vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, përderisa po zhvillohen përpjekjet për eurointegrimet dhe kjo duhet dakorduar nga partitë politike.
“Duke shfrytëzuar retorikën e akuzave dhe duke shfrytëzuar edhe pakënaqësinë e qytetarëve, pakënaqësinë me pritjen që ishin dhe premtimet që i dha kjo qeveri, përpiqen që ta krijojnë një element plotësues që zgjedhjet të jenë të parakohshme, që të dëshmohet se punët në shtet janë më të këqija se sa i paraqet qeveria. Partitë politike të cilat vendosin duhet një herë të ulen dhe të kuptojnë se zgjedhjet duhet të jenë atëherë kur janë paraparë të jenë, e jo kur t’i kujtohet në çfarëdo qoftë periudhe”,- tha analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Ligji për PThP-në, Mehmeti: Skeptik në përafrimin e qëndrimeve
Megjithatë, lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski, mosdakordimin e datës për zgjedhje të parakohshme e ka kushtëzuar me Ligjin për prokurori publike dhe fatin e PSP-së. Kryeministri Zaev paralajmëron opozitën se duhet të mbajë përgjegjësi për funksionimin e shtetit juridik. Analisti Mehmeti, skeptik në përafrimin e qëndrimeve mes pozitës dhe opozitës.
“Ndoshta vizitat e fundit që ishin në vend nga shtete fqinje, por edhe nga BE dhe ShBA, mund të kenë luajtur një rol në shtyrjen përpara të këtij procesi, të afrimit të qëndrimeve rreth rolit të ardhshëm të Prokurorisë Speciale. Kjo mund të bëjë një ndryshim”,- tha analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Grupet e punës deri më tani janë dakorduar për rritjen e buxhetit për Prokurorinë Publike, ndërkaq bisedimet pritet të vazhdojnë pas 15 gushtit. (Meral Ismaili, TVM2)
