Filipçe: Ndërpritet kuota për ilaçe në vendet turistike
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që nga dita e nesërme të ndërpresë kuotën për ilaçe në vendet turistike të vendit....

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që nga dita e nesërme të ndërpresë kuotën për ilaçe në vendet turistike të vendit.
Me këtë rast, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se kuotat do të ndërpriten për Ohrin, Strugën, Dojranin, Resnjën dhe Gjevgjelinë. Sipas ministrit Filipçe, ky është hapi i parë deri në liberalizimin e plotë të kuotës për ilaçe në mbarë vendin.
Ministri i Shëndetësisë thotë se në vendet turistike vite më herët popullata lokale është ballafaquar me mungesë ilaçesh, sepse turistë nga qytete të tjera kanë marrë receta dhe me të njëjtat në Ohër dhe Strugë kanë siguruar ilaçet. Kompetentët thonë se gjatë kësaj periudhe punojnë në përcaktimin e mekanizmave kontrolluese, me të cilat do të mënjanohen keqpërdorimet e kuotave.
Një nga masat e cila do të zbatohet, është gjatë marrjes së ilaçit në barnatore të jetë i pranishëm vetë pacienti dhe ilaçin do të mund ta marrë vetëm me letërnjoftim.
“Bëhet fjalë për një mekanizëm kompleks i cili përfshin edhe zgjidhje softuerike, ndërsa në thelbësi do të mund ilaçin ta tërheq vetëm personi për të cilin është i shkruar ai ilaç dhe pacienti i cili do të vijë personalisht në barnatore që ta tërheqë, kurse për personat të cilët nuk mund të qarkullojnë vetë edhe për ata do të ketë një mekanizëm të zhvilluar se si të tërheqin”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri Filipçe nuk bëri të ditur qartë se kush ka bërë keqpërdorime me receta fiktive, ashtu siç deklaroi më parë edhe vetë kryeministri, Zoran Zaev, por thotë se në shtator Ministria e Shëndetësisë do të dalë me informacion të plotë për këtë çështje.
“Ajo është analizë e cila bëhet në Fondin Shëndetësor. Ne me informacionin e plotë do të dalim në shtator apo tetor, ku detajisht do të informojmë çka është ajo që kemi gjetur në terren, pse po mendojmë se po rritet numri i recetave fiktive gjithë këto vite të kaluara dhe normalisht se si me këtë masë do ta vëmë në kontroll ose të rregullojmë numrin e barërave për numër banori në pajtim me atë që është standard europian”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri Filipçe deklaroi gjithashtu se pritet edhe tejkalimi i problemit me mungesën e gjinekologëve amë.
Me ndryshimet të cilat i parasheh Ministria e Shëndetësisë në situatë kur pas 5 vitesh një e treta prej tyre do të pensionohen, atëherë do të mundësohet që si gjinekologë amë të mund të punojë çdo gjinekolog i punësuar në klinikat dhe spitalet e vendit. (Ardita Imeri, TVM2)
