Maqedoni

Ndryshimet ligjore ndajnë arsimtarët shqiptarë

10.09.2014 17:36

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Arsim Fillor dhe të Mesëm...

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Arsim Fillor dhe të Mesëm, sipas të cilave mësimdhënësit që do të përfshihen në grevë do të zëvendësohen me arsimtarë të tjerë për sa kohë që zgjat greva. 
 
Kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta, thotë për TVM-2 se Sindikata e Arsimit është dashur t’i harxhojë të gjitha mundësitë tjera para se të merret vendimi përfundimtar për mbajtje të grevës. Sipas tij, habit fakti që SASHKU  deri më tani nuk ka reaguar asnjëherë për testimin ekstern dhe ditarin elektronik dhe del me vendim të menjëhershëm për grevë.
 
“Sindikata e Arsimit duhet t’i shtjerë të gjitha mundësitë tjera para se të vjen deri te greva, sepse ka disa vite që zbatohet testimi ekstern dhe ditari elektronik dhe të gjitha dhe Sindikata e Arsimit, asnjëherë nuk kemi dëgjuar se ka reaguar dhe për këto ndodhi dhe tash përnjëherë i është kujtuar. Ne do të apelojmë të kenë debate, të takohen edhe Sindikati edhe Ministria, t’i tejkalojnë këto probleme dhe në moment dhe në kohë të duhur të bëhen debate, jo pas dy viteve t’i kujtohet Sindikatit të jep vlerësim për testimin”- deklaroi kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta.
 
Por, ndryshe mendon kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve të Kumanovës, Etem Xheladini, sipas të cilit, Ligji është diskriminues. Sipas tij edhe ky Ligj do të ketë fatin e ligjeve të tjera që kanë dështuar dhe nuk kanë arritur të realizohen.
 
“Nuk është Ligji i parë që sillet në këtë mënyrë, mirëpo shumë ligje që patën fatin të dështojnë, besoj se do të dështojë edhe ky Ligj. Këtë me siguri do ta eliminojë edhe Gjyqi Kushtetues, pasi e drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese dhe mendoj se edhe punëtorët e arsimit këtë të drejtë do ta realizojnë deri në fund”- theksoi kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve të Kumanovës, Etem Xheladini.
 
Vetë kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, i ka quajtur ndryshimet ligjore si jokushtetuese. SASHK-u, vendimin përfundimtar për grevën pritet ta marrë të dielën në seancën ku janë të ftuar edhe ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov dhe ministrja e Kulturës, Elizabeta Kancevska Milevska.
 
Sipas tyre, këto ndryshime janë kundërkushtetuese.
 
“Ndërkohë, ndryshimet në Ligjin për Arsim Fillor dhe të Mesëm, vlerësojmë se janë kundër-kushtetuese dhe kundër konventave ndërkombëtare që Maqedonia i ka ratifikuar dhe sot i kemi dërguar letër kryetarit të Shtetit, ku kërkojmë nga ai që të mos e nënshkruajë zbatimin e këtij Ligji”- potencoi kryetari i SASHKUT, Jakim Nedelkov.
 
Ndryshimet në Ligjin për Arsim Fillor, tani thonë se drejtori i shkollës fillore, me pëlqim paraprak të kryetarit të Komunës, është i obliguar që të realizojë sigurimin e punës edukativo-arsimore me zëvendësimin e punëtorëve që janë të përfshirë në grevë, për sa kohë që zgjat greva.
 
FLUTURA LATIFI