Maqedoni
Ligji për PThP-në, Zyberi: Dakordimi mes palëve, proces i vështirë
06.08.2019 13:26
Negociatat për Ligjin e ri për PTHP-në mes pushtetit dhe opozitës, nuk do të jenë aspak të lehta as në periudhën që vjen...

Ka mundësi që në periudhën që vjen, bisedimet të hasin në gozhdë në pikën ku për momentin ndodhen ato, për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta mes palëve.
Kështu konsideron për TVM2 eksperti për çështje juridike, Naser Zyberi, sipas të cilit “shtizat” mes opozitës dhe pushtetit do të kryqëzohen për hetimet e PSP-së dhe përdorimin e materialeve të përgjuara si dëshmi, gjë për të cilën opozita nuk lëshon pe pa e arritur këtë qëllim.
“Kur janë në pyetje përgjimet, janë dy çështje kontestuese rreth të cilave nuk ka gjuhë të përbashkët mes opozitës dhe pushtetit. Ato çështje janë: e para, se a do të mund që të procesuohen lëndët pas afatit të paraparë në qershor të vitit 2017 kur janë përmbushur 18 muaj nga data e themelimit të PSP-së dhe e dyta, a do të mund që hetimet të jenë lëndë e Prokurorisë së Përgjithshme. Në këto dy çështje mendojnë se dy palët kanë pozita diametralisht të kundërta, siç është çështja personale kuadrovike, e cila mendoj pa nevojë po paraqitet si problem dhe pengesë për aprovimin e ligjit”,- tha eksperti për çështje juridike, Naser Zyberi.
Zyberi madje vlerëson se opozita tani ka radhën që të zbusë qëndrimet e saj për Ligjin në fjalë, e sidomos për çështjen kuadrovike të Prokurorisë së re, pasi që edhe qeveria hoqi dorë nga ideja paraprake që të vazhdojë mandatin e PSP-së, i themeluar si institucion i pavarur.
Për këtë arsye, vlerëson Zyberi, partitë politike nuk duhet pritur ndihmë nga faktori ndërkombëtar, pasi që këtë punë duhen zgjidhur në mënyrë unanime.
“Unë mendoj se faktori ndërkombëtar ka bërë punën e vet, e sidomos tani kohëve të fundit KE merret me çështjet e veta, me konstituimin e Komisionit, Këshilli Europian dje ka caktuar Komision për politikën e jashtme, ende nuk dihet se kush do të jetë komisari për zgjerim dhe derisa nuk caktohet komisari për zgjerim, KE nuk do të merret më çështjen e Maqedonisë së Veriut, e në qoftë se në ndërkohë nuk zgjidhet çështja e Ligjit për Prokurorisë e Përgjithshme, vendit do t’i mbetet kohë e shkurtër për të bërë një hap serioz në drejtim të marrjes së datës për fillimin e negociatave”,- u shpreh eksperti për çështje juridike, Naser Zyberi.
Zyberi konsideron se rasti “Zhvatja” duhet zbardhur sa më parë për të mos ngarkuar edhe më shumë procesin e negociatave mes grupeve të punës për ligjin në fjalë.
REXHEP QAMILI
