Maqedoni
Vazhdon bojkoti në “Maria Kiri”
10.09.2014 18:41
Mungesa e kuadrit shqiptar në shkollën profesionale të Kimisë ”Maria Kiri Sklodovska”, ka bërë që prej fillimit të vitit të ri shkollor nxënësit shqiptarë të bojkotojnë mësimin...

Shkolla, që vitin e kaluar ka caktuar profesorë maqedonas për disa lëndë me arsyetimin e mungesës së kuadrit profesional shqiptar.
Edhe sivjet, drejtori i shkollës, Pavlle Pavllov, thotë se ky zëvendësim është bërë që nxënësit shqiptarë të mos humbin vitin. Ai madje ankohet se një profesor shqiptar në këtë shkollë ka diplomë joadekuate për lëndën që jep dhe një tjetër nuk ka fare diplomë, pasi ende për vete nuk i ka mbaruar studimet.
Edhe kreu i Shkupit, Koce Tajanovski, ka pohuar sot deklaratat e drejtorit të shkollës. Sipas tij, ka mungesë të vetëm dy profesorëve dhe gjendja nuk është aq alarmante sa paraqitet nga dikush.
“Nuk është e vërtetë që nxënësit shqiptarë nuk mësojnë në gjuhën shqipe. Nga 30 profesorët që japin mësim, 28 janë shqiptarë, vetëm dy nuk janë. Njëri nga ata nuk ka të mbaruar fakultet, kurse tjetri nuk e ka fakultetin adekuat. Drejtori më ka thënë se kjo zgjidhje nuk është ligjore, nuk mundet profesori me shkollë të mesme të japë mësim”- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Por, prindërit dhe nxënësit janë të vendosur të vazhdojnë bojkotin. Ata kërkojnë punësimin e kuadrit shqiptar për të gjitha lëndët, si dhe tabela të jetë në gjuhën shqipe.
“Kërkojmë nga shkolla dhe organet kompetente të japin kontribut për realizimin e kërkesave tona elementare, të cilat janë nën kompetencë të shkollës. Gjersa të mos gjendet një zgjidhje afatgjate, nxënësit do të vazhdojnë ta bojkotojnë mësimin”- potencoi nga Këshilli i Prindërve, Bejtulla Islami.
Shkolla “Marija Kiri-Sklodovska”, ka gjithsej 966 nxënës, 16 paralele me mësim në gjuhën shqipe dhe 17 me mësim në gjuhën maqedonase.
AFRIM TANALLARI
