Maqedoni
Kërkesa për zgjedhje të parakohshme, BDI: Tetori 2020, termin i përshtatëm. Lëvizja Besa: janë pjekur kushtet për zgjedhje. ASh: Duhen zgjedhje, kjo qeveri nuk ka kapacitet
06.08.2019 15:36
Subjektet politike shqiptare në pushtet dhe opozitë dolën me qëndrime të ndara rreth mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare...

Nga BDI vlerësojnë se tetori i vitit 2020 është termin i përshtatshëm për organizimin e zgjedhjeve për shkak të rrumbullakimit të proceseve integruese të vendit.
“Edhe përkundër faktit se të gjitha anketat flasin se po që se nesër do të kishte zgjedhje, BDI do të fitonte bindshëm, për t’i dhënë mundësi rrumbullakimit të anëtarësimit në NATO në dhjetor dhe hapjes së bisedimeve në tetor. Vlerësojmë se tetori i vitit 2020 është termin i përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare”,- thonë nga BDI.
Ndërkohë, partitë opozitare shqiptare njëzëri kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Janë pjekur kushtet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke marrë parasysh skandalet edhe më të reja por edhe më të vjetra të cilat i kemi pasur në periudhën e fundit, veçanërisht nga pjesa e pushtetit, nga pjesa e PSP-së, e gjithë kjo e komprometon reputacionin e pushtetit që të qeverisë me vendin, por edhe në të njëjtën kohë dështimet të cilat kjo qeveri i ka pasur në fushën e ekonomisë dhe politikave tjera shoqërore”,- tha Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
“ASh në vazhdimësi ka qenë për zgjedhje të parakohshme. Kjo qeveri nuk ka kapacitet dhe vullnet të mirëfilltë për reforma”,- thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nëse Qeveria e Maqedonisë së Veriut që drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev, do të përfundojë mandatin pa zgjedhje të parakohshme parlamentare, apo vendi do të shkojë në zgjedhje, do të varet nga kompromisi midis pushtetit dhe opozitës, e cila po këmbëngul në mbajtjen e zgjedhje të parakohshme.
Nëse opozita dëshiron zgjedhje, mund të ketë në tetor të vitit 2020, pati deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.
NAIM RAMADANI
