Eurobarometri: Maqedonasit janë pro BE-së, probleme më të mëdha ekonomia dhe papunësia
Besimi i qytetarëve të RMV-së në BE shënon 57 për qind dhe është ulur për 6 për qind...

Besimi i qytetarëve të RMV-së në BE shënon 57 për qind dhe është ulur për 6 për qind në krahasim me vjeshtën e vitit të kaluar. Edhe më tej, 68 për qind prej qytetarëve konsiderojnë se anëtarësimi në BE do të ishte i mirë për vendin, përkundër 16 për qind të cilët e kundërshtojnë anëtarësimin.
Se vendi do ketë përfitime nga anëtarësimi në BE konsiderojnë 72 për qind prej qytetarëve.
Këto janë të dhënat e hulumtimit Eurobarometër, të realizuara me 28 vendet e BE-së dhe pesë vendet kandidate. Përkrahje për pranimin e anëtarëve të rinj japin 48 për qind nga banorët e BE-së, që është rritje prej 3 për qind më shumë në krahasim me vitin 2018. Përkrahje më të madhe për zgjerim japin 70 për qind e spanjollëve, polakëve dhe lituanezëve, 69 për qind hungarezët dhe sllovenët 64 për qind. Përkrahje më të vogël për zgjerimin e BE-së ka në Holandë me 31 për qind, Francë 32 për qind dhe Gjermani 33 për qind.
Gjithsesi, në Francë dhe Gjermani, në krahasim me raportin e kaluar, ka rritje prej 2 për qind më shumë për pranimin e anëtareve të reja. Qytetarët e vendit si probleme më të mëdha me të cilat përballet vendi e kanë potencuar gjendjen ekonomike me 35 për qind dhe papunësinë me 30 për qind.
Të pyetur se a presin përmirësim të jetesës pas një viti, 33 për qind janë përgjigjur pozitivisht, 16 për qind negativisht dhe 50 për qind konsiderojnë se asgjë nuk do të ndryshohet. Gjendjen e përgjithshme në shtet si të mirë e kanë vlerësuar 47 për qind e të anketuarve, që është për 10 për qind më shumë në krahasim me hulumtimin e mëparshëm.
Si gjendje të keqe e kanë vlerësuar 51 për qind, apo 11 për qind më pak se hulumtimi i mëparshëm.
Gjendjen ekonomike në përgjithësi të mirë e kanë vlerësuar 36 për qind prej të anketuarve dhe të keqe e vlerësojnë 36 për qind prej qytetarëve. Besimi në punën e Qeverisë është 33 për qind, për punën e parlamentit 31 për qind, por te të dy institucionet ka rritje prej 3 për qind në krahasim me hulumtimet e mëparshme. Besim në punën e partive politike kanë 22 për qind, ndërkohë 77 për qind shprehin mosbesim.
Mediave iu besojnë 36 për qind prej qytetarëve, ndërsa mosbesim kanë shprehur 62 për qind. Hulumtimet e Eurobarometrit kanë përfshirë 27.464 persona, ndërsa në RMV 1107 në periudhën prej 12 deri më 26 qershor. (Flutura Latifi, TVM2)
