VMRO-DPMNE: Situata me buxhetin është katastrofale
Opozitarja VMRO-DPMNE sërish ka akuzuar pushtetin për dështim në planin ekonomik....

Opozitarja VMRO-DPMNE sërish ka akuzuar pushtetin për dështim në planin ekonomik. Nga kjo parti theksojnë se edhe përkundër buxhetit më të madh të miratuar në historinë e vendit, shifrat flasin për dështim katastrofal, duke përmendur joefikasitetin e DAP-it dhe realizimin e dobët të investimeve kapitale.
“Situata me buxhetin më të madh të miratuar deri më tani nga LSDM-ja dhe shumica parlamentare është e njëjtë me situatën në Republikën e Maqedonisë, e ajo është katastrofale që kur në krye të shtetit erdhën LSDM dhe Zoran Zaev. Zoran Zaev e ka zhytur Republikën e Maqedonisë në një katastrofë nga e cila nuk do të mund të dalë për një kohë shumë të gjatë. Në gjysmën e parë të vitit 2019, sipas planifikimit është dashur të paguhen 43.4 miliardë denarë, kurse janë paguar rreth 39.3 miliardë denarë. Puna katastrofale e DAP-it dhe joefikasiteti kanë rezultuar me një dallim prej 4.1 miliardë denarë më pak. Niveli i realizimit të shpenzimeve kapitale është katastrofik, madje 20 për qind. Ky është viti më i keq për ekonominë në Republikën e Maqedonisë dhe është një tregues tjetër se qeveria e LSDM-së dhe Zoran Zaevit është e paaftë”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
E nga pushteti vazhduan me promovimin e masave të cilat po japin sukses në ekonomi. Duke publikuar një raport të Organizatës Botërore Tregtare për rritje të eksportit, Zaev shkroi se shteti është duke ecur në rrugën e duhur.
“Eksporti i mallrave në vitin 2012 ka marrë pjesë në bruto prodhimin vendor në Maqedoninë e Veriut me 30,4 për qind, ndërsa në vitin 2018 është rritur për 50 për qind dhe ka arritur në 45,5 për qind, sipas raportit të Organizatës Botërore Tregtare. Shteti ynë është në rrugë të mirë”,- ka shkruar Zaev.
Në raportin e ri tremujor të Bankës Popullore (BP) theksohet se rritja e ekonomisë vendore në çerekun e parë të këtij viti është solide, ndërsa të dhënat për periudhën prill dhe maj, dërgojnë në vazhdimin e ndryshimeve të favorshme në ekonomi dhe pritjet për rritje solide ekonomike këtë vit. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
