Tre vite nga vërshimet në lagjen Hasanbeg, banorët: Falë njerëzve humanë i jemi kthyer jetës normale
Në lagjen Hasanbeg dhe Stajkovc, para 3 viteve ndodhi një katastrofë natyrore....

Në lagjen Hasanbeg dhe Stajkovc, para 3 viteve ndodhi një katastrofë natyrore ku vërshimet përmbytën pothuajse gjithçka. Si pasojë e vërshimeve humbën jetën 23 persona.
6 gushti 2016 është një ditë që banorët e kësaj zone nuk do ta harrojnë asnjëherë. Banorët e e lagjes së Hasanbegut shprehen se nga shteti, asnjëri nuk ka arritur të krijojë kushtet elementare për jetë, por falë njerëzve humanë që u kanë ndihmuar ata i janë kthyer jetës normale. Por, gjithashtu ata kërkojnë që çështja e kanalit të zgjidhet.
“Dëmshpërblimin e kam pasur 100%, ndërsa unë i kam marrë vetëm 15 ose 20%. Kamionin e kam pasur këtu në garazh më ka kushtuar 2000 mijë euro për ta rregulluar veturën 500 euro. Shtëpia më ka dalë 32 mijë euro, e gjithë shtëpinë e kam bërë, po më pyet mua se si e kam bërë. Por, shyqyr zotit ka pasur njerëz humanë, na kanë ndihmuar. Prej shtetit nuk jemi të kënaqur”,- u shpreh një banor.
“Lumi duhet të pastrohet nga fshati Creshevë, sepse aty është bërë deponi, gjithçka ka aty. Si dhe duhet të rregullohet çështja e kanalizimit, sepse nëse kemi reshje të shiut, mund të kemi përsëri vërshime”,- theksoi një banor.
“Familja jonë nuk kemi dalë për të kërkuar ndihmë, vetë çka kemi mundur kemi bërë, sepse ka pasur familje që kanë qenë më keq dhe nuk kanë pasur nga të marrin. Ka ende shtëpi dhe shitore të pandërtuara si pasojë e vërshimeve. Gjithashtu ka familje që ende nuk janë rregulluar si duhet.”,- theksoi një banor.
Georgievski: Problemi me kanalin e Hasanbegut do të përfundojë
Nga komuna e Gazi Babës theksuan se problemi me kanalin në lagjen e Hanbegut do të përfundojë me ndërtimin e një kanali të ri.
“Ne kemi ndërtuar një kanal kullues të ri që do të duhet të jetë sipër bypass-it verior, për të mbledhur ujërat nga shtretërit e lumenjve të Smilkovcës, Creshevës, Straçincës dhe Bërnjarcit, nga uji që erdhi dhe që shkaktoi një katastrofë në periudhën e 6 gushtit, kështu që unë mendoj se me një zgjidhje të tillë afatgjate, zgjidhet edhe çështja e mbylljes së kanalit në fshatin Hasanbeg, i cili për momentin është vetëm një deponi, nga ku vjen një erë e keqe në mes të vendbanimit”,- deklaroi kryetari i komunës së Gazi Babës, Boris Gergievski.
Në lagjen e Hasanbegut dhe Stajkovcit mbi 5000 familje pësuan dëme të mëdha, ndërsa mbi 600 hektarë tokë bujqësore u shkatërrua tërësisht.
Asnjëri nga institucionet nuk mori përgjegjësi që për vite me radhë ka pasur lëshime të dukshme infrastrukturore dhe mungesë të investimeve në infrastrukturë, por tragjedinë e banorëve të prekur e konstatuan si fatkeqësi natyrore. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
