Maqedoni
Keqpërdorim të pozitës zyrtare, procedurë hetimore për 5 të dyshuar
07.08.2019 14:30
Prokuroria Themelore Publike ka hapur procedurë hetuese ndaj 5 persona për keqpërdorimin e detyrës zyrtare...

Prokuroria Themelore Publike ka hapur procedurë hetuese ndaj 5 persona për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizimeve për punësimet partiake në Regjistrin Qendror.
Në mesin e të dyshuarve është dhe ish-drejtori i këtij institucioni, Andrea Popovski, si dhe 4 persona të tjerë. Pas privimit të Popovskit nga liria ditë më parë, Prokuroria Publike tani kërkon paraburgim.
“Duke vlerësuar se janë përmbushur dispozitat ligjore, prokurori publik kompetent ka dorëzuar deri te Gjykata Penale propozimin për shqiptimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë, ndërsa për 3 të tjerët do të kërkohet masa e kujdesit me qëllim të sigurimit të prezencës së tyre në procedurës penale”,- thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Pasi që Gjykata Penale pranon zyrtarisht kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, ajo do të duhet të vendos për veprimet e mëtejshme ndaj të dyshuarve. Popovski si ish ushtrues detyre drejtor i Regjistrit Qendror, ka udhëhequr këtë institucion prej vitit 2014 deri më 2017.
Prokuroria dyshon se ai ka keqpërdorur postin dhe autorizimet, duke urdhëruar gojarisht disa të punësuar tjerë që të evidentojnë një punëtore tjetër si rregullisht e pranishme në evidencat e rregullshmërisë në punë edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se e njëjta nuk ka ardhur në punë dhe ka pasur angazhime tjera në një parti politike.
REXHEP QAMILI
