Maqedoni
Edhe 125 ushtarë profesionistë në ARM, automjete luftarake nga ShBA për Armatën
07.08.2019 15:34
Në kazermën “Akekso Dimnievski – Bauman” të Velesit, solemnisht u bë pranimi i 125 ushtarëve të rinj profesionistë...

Në kazermën “Akekso Dimnievski – Bauman” të Velesit, solemnisht u bë pranimi i 125 ushtarëve të rinj profesionistë në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, tha se deri në fund të vitit, Armata do të mund të sigurojë automjete luftarake, edhe atë si rezultat i marrëveshjes mes qeverisë së Maqedonisë dhe asaj amerikane.
“Unë shpresoj se pasi ligji të miratohet, do të mund të hyjmë në fazë më serioze të bisedimeve me ShBA-të dhe të shfrytëzojmë këtë mundësi që nuk ishte e lehtë të fitohet. Janë miratuar mjete dhe nëse vazhdon sipas planit, shpresoj se deri në fund të vitit Armata do të mund të sigurojë automjete luftarake si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë tonë dhe asaj të SHBA-së”,- theksoi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Ministrja Shekerinska shtoi gjithashtu se modernizimi i Armatës është prolonguar shumë herë si rezultat i procedurave kontroverse me pohime për korrupsion dhe transparencë jo të mjaftueshme.
Deri në fund të vitit edhe 125 ushtarë të tjerë profesionistë do të punësohen dhe në të njëjtën kohë të punojnë për të përmirësuar modernizimin e ushtrisë, potencoi Shekerinska.
REJHANE BUSHI-METAJ
