Zaev: Cikël i ri investues prej 5 miliardë euro

07.08.2019 16:37

Kryeministri, Zoran Zaev, ka paralajmëruar investime të mëdha në infrastrukturë....

Kryeministri, Zoran Zaev, ka paralajmëruar investime të mëdha në infrastrukturë, bujqësi dhe energjetikë. Sipas Zaevit, në periudhën në vazhdim pritet të fillojë cikli investues prej rreth pesë miliardë eurosh. Ai i ka përmendur fillimisht këto pika:

- Një miliardë në rrugë;

- Një miliardë në hekurudhë;

- Një miliardë në energjetikë;

- Qendër e re klinike;

- Investime në bujqësi dhe zhvillim rural;

- Stacione të reja filtrimi;

- Fabrika rajonale për mbledhjen e mbeturinave;

- Sisteme kanalizimi dhe ujësjellësi;

- Shkolla dhe kopshte.

Mickovski: Projekt joreal, mungojnë burimet financiare

Partia e Mickovskit paralajmërimin e kryeministrit për investime e sheh si joserioz dhe joreal. Sipas tij, mungesa e mjeteve buxhetore dhe burimeve të financimit i bëjnë të parealizueshme këto premtime.

Lideri i VMRO-së, Mickovski, ka shkruar se “Sot Zoran Zaev, pa asnjë plan dhe pa asnjë metodologji paralajmëron një cikël investimesh jo më pak e jo më shumë, por saktë 5 miliardë euro. Nëse po pyesni nëse kjo është një pjesë e shkëputur nga ndonjë show televiziv, përgjigjja është jo, kjo është e vërtetë, ai është i njëjti Zoran Zaev i cili tha se do të kishte çmim blerës të garantuar për rendimentin e fermerëve, autostradë të re prej 500 km, 500 euro pagë mesatare dhe rritje ekonomike më së paku deri në  5% në vit”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Bislimi: Për realizimin do të duhen së paku 20 vite

Në ndërkohë, ekspertët ekonomikë thonë se investimet e tilla kanë efekte pozitive në ekonominë e vendit. Profesori universitar, Sami Bislimi, vlerëson se me shpërndarjen buxhetore, një gjë e tillë do të jetë e vështirë për t’u realizuar, sepse për një projekt kaq voluminoz nevojiten së paku 20 vite për realizim.

“Investimet e tilla kanë efekte kthyese mbi ekonominë e vendit. Edhe pse projeksionet janë të qëlluara, prioritet janë të zgjedhura mirë, shtrohet pyetje se ku do të gjenden mjete për investime të tilla kapitale në shumë prej 5 miliard eurosh. Nëse e kemi parasysh kapacitetin fiskal të ekonomisë së vendit nga buxheti i shtetit, për investime kapitale ndahen rreth 300-450 milion euro që do të thotë se me shpërndarjen buxhetore nuk është e mundur që për një periudhë të shkurtër të realizohen ky projeksion. Do të duhen më se paku 20 vite për të realizuar këto projekte investive të cilat i paralajmëroi kryeministri”,- u shpreh profesori universitar, Sami Bislimi.

Sipas kreut të ekzekutivit, Zoran Zaev, po ndërtohen projekte reale për nevoja reale për të gjithë qytetarët dhe se shteti është në rrugë të mbarë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)