Gjykata Administrative: Kompetencat për shkollat i ka komuna
Gjykata Administrative ka marrë vendim që kompetencat në arsim në Gostivar....

Gjykata Administrative ka marrë vendim që kompetencat në arsim në Gostivar duhet t’i takojnë komunës përkatëse dhe jo Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, njoftoi se ka pranuar vendimin e Gjykatës Administrative, ku theksohet se “padia e komunës së Gostivarit është pranuar”.
Kreu i komunës së Gostivarit, Aben Taravari, pas vendimit ka shkruar se drejtësia doli në shesh dhe ftoi ministrin Ademi të kërkojë falje dhe të japë dorëheqje të parevokueshme.
“I respektuari “docent”, ktheji ingerencat, publikisht kërko falje dhe jep dorëheqje të parevokueshme, jo për shkak meje, por për nxënësit dhe mësimdhënësit në Gostivar”,- u shpreh kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
MASh: Vendimi, në mungesë të dokumentacionit
Nga Ministria e Arsimit thonë se aktgjykimi i tillë është sjellë për shkak të dokumentacioni jo të plotë, madje një pjesë e shkresave të dorëzuara kanë qenë të palexueshme. Kjo, sipas MASh-it, nuk do të thotë që gjykata konfirmon veprimin e ligjshëm të Taravarit për emërimet dhe shkarkimet.
“Ky aktgjykim nuk nënkupton se Gjykata konfirmon që komuna ka vepruar në mënyrë të ligjshme, kur ka shkarkuar dhe emëruar drejtorët e shkollave dhe as nuk do të thotë se MASh ka vepruar siç duhet në vendimin për marrjen e kompetencave në këtë segment. Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Administrative, MASh ka dy mundësi, e para të rimarrë vendimin për marrje të kompetencave komunës dhe e dyta të ankimojë aktgjykimin në Gjykatën e lartë administrative. MASh informon se ka filluar procedura para Gjykatës së lartë administrative, për të cilin është dorëzuar i gjithë dokumentacioni, me të cilin organet kompetente kanë konstatuar një sërë parregullsish në punën e komunës, në bazë të të cilave është vepruar në këtë rast”,- thonë nga MASh.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë ia ka marrë kompetencat Taravarit në lidhje me shkollat. Ministria si shkas për marrjen e kompetencave e ka theksuar se kryetari i komunës e ka shkelur ligjin gjatë shkarkimit/emërimit të drejtorëve. Vendimi i MASh-it përcaktonte marrjen e kompetencave për arsim për 9 muaj komunës së Gostivarit për herë të dytë. (Flutura Latifi, TVM2)
