Maqedoni
Ahmeti: Vetëm anëtaresimi në NATO sjell stabilitet
10.09.2014 19:35
Zhvillimet aktuale politike, procesi eurointegrues i vendit, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit kanë qenë çështjet kryesore...

Zhvillimet aktuale politike, procesi eurointegrues i vendit, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit kanë qenë çështjet kryesore për të cilat kanë biseduar zyrtarë të lartë të vendeve të Beneluksit dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e sotëm në Reçicë të Vogël.
Gjatë takimit, Ahmeti ka përshëndetur kontributin që vendet e tyre po japin në zhvillimet politike dhe shoqërore në Maqedoni. Ai ka shtuar se marrëdhëniet ndëretnike po tensionohen nga mungesa e angazhimit të drejtpërdrejtë për integrim euroatlantik nëpërmjet të zgjidhjes së çështjes së emrit.
Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE do t’i relaksojnë marrëdhëniet midis dy komuniteteve më të mëdha në vend dhe do të ndikojnë në mirëbesimin, pajtimin, stabilitetin dhe sigurinë në vend dhe në rajon.
“Delegacionit i interesonin në veçanti marrëdhëniet ndëretnike në vend, i interesonte çështja e zgjidhjes së emrit. Biseduam hapur për të gjitha temat. Përderisa komuniteti ndërkombëtar ka qenë partner dhe aleat i fortë brenda 13 viteve të funksionimit të Shtetit të Maqedonisë, partner dhe ndihmues e lehtësues në të gjitha proceset e rëndësishme të këtij vendi, unë sërish aktualizova çështjen që përsëri komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë partner dhe aleat për t’i përmbyllur edhe këto tema të rëndësishme që presin zgjidhje dhe në veçanti ngrita çështjen e emrit të Shtetit dhe domosdoshmërinë që duhet të sigurohet nga komuniteti ndërkombëtar, me qëllim që kjo zgjidhje të bëhet sa ma shpejt”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti, gjatë takimit midis tjerash ka theksuar edhe nevojën për një gjyqësor të drejtë, pa ngarkese dhe transparent, teksa ka nënvizuar se të gjitha të arriturat në 12 vitet e fundit janë rezultat i punës së përbashkët me miqtë ndërkombëtar dhe ky bashkëpunim do të vijojë gjer në integrimin e plotë të vendit në BE dhe NATO.
Ahmeti, gjithashtu ka ftuar opozitën që të kthehet në Parlament, sepse sipas tij, ata janë të zgjedhur që t’i përfaqësojnë qytetarët në Kuvend dhe aty t’i mbrojnë interesat e tyre.
NAIM RAMADANI
