Gjykata Penale: Nuk janë plotësuar kushtet për ekstradimin e Morinës

07.08.2019 18:22

Gjykata Penale e Shkupit vlerëson se ish ushtari i UÇK-së, Tomor Morina....

Gjykata Penale e Shkupit vlerëson se ish ushtari i UÇK-së, Tomor Morina, nuk duhet të dorëzohet në Serbi.

“Këshilli Penal në Gjykatën Penale - Shkup, duke vepruar ndaj kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së RMV-së, dhe pas shqyrtimit të tërë dokumentacionit në kërkesë, por edhe duke e vlerësuar praktikën gjyqësore dhe të drejtën ndërkombëtare, ka miratuar vendim se nuk janë plotësuar kushtet për ekstradim të personit T. M.”,- kumtojnë nga Gjykata Penale.

Vendimi bashkë me lëndën, në pajtueshmëri me nenin 65 paragrafi 5 i Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar në materien penale, menjëherë do të dorëzohen në Gjykatën Supreme për vendim të mëtutjeshëm.

“Njëkohësisht, masa e paraburgimit, e shqiptuar pas propozimit të Prokurorisë më 25.07.2019, do të mbetet, derisa vendimi të jetë i plotfuqishëm, gjegjësisht për lëndën të vendos Gjykata Supreme”,- thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale.