Maqedoni

Rasti “Morina”, Gjykata Supreme pret vendimin e Penales

08.08.2019 16:39

Ish pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina, vazhdon të mbetet në paraburgim në burgun e Shutkës edhe përkundër vendimit të Gjykatës Penale...

Ish pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina, vazhdon të mbetet në paraburgim në burgun e Shutkës edhe përkundër vendimit të Gjykatës Penale, ku u refuzua kërkesa për ekstradim të tij në Serbi.
 
Gjykata Supreme, e cila duhet të thotë fjalën e fundit në rastin e Morinës, ka njoftuar se akoma nuk e ka pranuar vendimin e Penales, andaj nuk ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim.
 
Nga Supremja thanë se pasi ta marrin vendimin e Penales, i njëjti do të dërgohet për mendim deri te Prokuroria Publike. Sipas procedurës ligjore, pasi të përgatitet mendim, Prokuroria e kthen lëndën në Gjykatën Supreme ku për të do të vendos Këshill prej pesë gjykatësve në afat të caktuar nga Gjykata Penale. Por, e gjithë kjo procedurë nga Supremja thonë se duhet të përfundojë brenda dy ditëve.
 
Të mërkurën Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale pas shqyrtimit të dokumentacionit si dhe duke vlerësuar mbi praktikën e vendosur gjyqësore dhe të drejtën ndërkombëtare, solli vendim për të mos e ekstraduar Morinën në Serbi. E ky vendim u përshëndet nga pala kosovare. 
 
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, u shpreh i kënaqur me vendimin e parë të gjykatës, ndërsa uroi që Morina sa më shpejt t’i kthehet familjes.
 
“Jam i lumtur që Tomor Morina fitoi betejën e parë të gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut për të kundërshtuar kërkesën serbe për ekstradim. Ne besojmë fuqimisht në punën profesionale të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe lidhjen e miqësisë që kanë vendet tona. Shumë shpejt ai do të kthehet në shtëpi te familja dhe miqtë e tij dhe u bëj thirrje të gjithëve të jenë të durueshëm”,- theksoi postimi i Pacollit në FB.
 
Nga Gjykata Penale theksuan se masa e paraburgimit kundër Morinës, e përcaktuar sipas propozimit të Prokurorisë më 25.07.2019, vazhdon të ekzistojë deri te hyrja në fuqi e vendimit nga Këshilli Penal, ose deri në vendimin sipas lëndës nga ana e Gjykatës Supreme të RMV-së.
 
Për rastin e Morinës interesim shprehu edhe ambasada britaneze në Shkup, pasi ky i fundit është i pajisur edhe me nënshtetësi të Britanisë. 
 
ZEKIRIJA MEXHITI