Maqedoni

Apel qytetarëve për kujdes me mbeturinat për Bajram

08.08.2019 17:06

Në prag të festë së Bajramit, çdo vit në këtë periudhë Çairi ballafaqohet me një problem vërtet të madh...

Në prag të festë së Bajramit, çdo vit në këtë periudhë Çairi ballafaqohet me një problem vërtet të madh, që është hedhja e pakontrolluar e mbetjeve organike, me çka drejtpërdrejt rrezikohet shëndeti i qytetarëve dhe ndotet ambienti jetësor, tha drejtori i NP “Higjiena komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani, i cili theksoi se do të ndërmerren masa për parandalimin e kësaj dukurie negative që është prezente gjatë festave.
 
“Këtë vit, NP “Higjiena komunale”- Shkup në më shumë lokacione në komunat e Shkupit si në Çair, Butel, Shuto Orizare dhe Saraj, do të vendos enë të veçanta në të cilat besimtarët në mënyrë të drejtë dhe të kontrolluar do të mund t’i hedhin mbetjet organike, që i njëjti të mund të largohet dhe transportohet në kohë nga ana e ekipeve tona”,- tha drejtori i NP “Higjiena Komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani. 
 
Çdo vit përpara festës së Bajramit janë vendosur shporta për hedhjen e mbeturinave, por të njëjtat janë shkatërruar nga qytetarët e papërgjegjshëm, tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ai paralajmëroi që sivjet do të ndëshkohen të njëjtit.
 
“Këtë vit do ta tejkalojmë me ato shporta, por ndodh ajo nga qytetarë të papërgjegjshëm që të dëmtohen ato shporta, mendoj se duhet ta iniciojmë idenë me qytetin e Shkupit për të vendosur një ditë e sa më parë kamera dhe në atë mënyrë ta mënjanojmë dhe ta përcjellim situatën, që këto qytetarë të pandërgjegjshëm të evidentohen dhe pastaj të dënohen”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Nuk kanë munguar as apelet e myftinisë së Shkupit.
 
“Duke marrë parasysh se kurbani si adhurim në vete ngërthen edhe etikën e therjes, ne kemi apeluar deri te të gjithë besimtarët nëpër 136 xhami të cilat janë aktive në qytetin e Shkupit, se si duhet të theret kurbani dhe çka duhet të bëjnë me mbeturinat e tyre. Nëse njëri nga këto elemente prishet, atëherë është në pyetje edhe pranimi i kurbanit te Zoti si sakrificë”,- theksoi myftiu i Shkupit, Kenan Ismaili.
 
Ekipet e NP “Higjiena komunale”- Shkup mbrëmë dhe gjatë ditës së sotme zbatuan aksion për pastrim të përgjithshëm në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku u bë larje manuale me automjete speciale  – VAP, si dhe fshirje dhe pastrim në të gjitha pjesët e Çarshisë. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU