Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, LSDM: Video, skenar i parapërgatitur. VMRO: Përgjegjësi për organizatorët e rastit. Aleanca dhe Besa kërkojnë ndriçimin e rastit

08.08.2019 17:44

LSDM kërkon nga institucionet gjyqësore zbardhjen sa më të shpejtë të rastit “Zhvatje”...

LSDM kërkon nga institucionet gjyqësore zbardhjen sa më të shpejtë të rastit “Zhvatje”, pasi gazeta italiane publikoi edhe video-xhirime për marrjen e parave.
 
Nga LSDM thonë se askush nuk është dhe nuk do të jetë i kursyer para ligjit. Socialdemokratët konsiderojnë se video-xhirimi është skenar i parapërgatitur.
 
“Hristijan Mickovskin e pyesim se me cilin nga personat që i pamë në video ai personalisht ka biseduar? Kur kanë ndodhur bisedat e tilla dhe çfarë marrëveshjesh ka bërë me ata, a ka pranuar dhe çfarë ka pranuar në dorë? Kush i ka lancuar xhirimet në madian italiane? Rikujtojmë Mickovskin dhe VMRO-në se drejtësia do të dalë në shesh. Ose ai do të përgjigjet në pyetjet tona, ose përgjigja do të arrijë nga vend tjetër”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Nga VMRO-DPMNE kërkojnë përgjegjësi për kryerësit, porositësit, si dhe ata që fshehin krimin e zhvatjes. Thonë se nuk mund të ketë drejtësi përderisa gjyqësori dhe prokuroria punojnë nën urdhrat e Zoran Zaevit. Sipas VMRO-së opozitare, me videon e publikuar qartësohet ngecja e hetimit dhe ikja e Ruskoskës dhe Janevës në pushime.
 
“Nga videoja shihet dhe dëgjohet se Boki dhe Kiçeec janë kryerës të thjeshtë, ndërkaq organizatorët janë të tjerë. Kjo zhvatje milionëshe që ka zgjatur me vite, me kërcënime dhe premtime për lirim ose burgim nga Katica Janeva, nuk mund të jetë kryer pa amin të Zaevit, i cili ka pushtetin absolut në Maqedoni. Zaev, PSP dhe Prokuroria Publike e Ruskoskës, pas video-xhirimit të sotëm, janë plotësisht të komprometuara dhe jokompetentë për bartjen e funksionit”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
 
Zbardhje sa më të shpejtë të rastit kanë kërkuar Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Partia e Zijadin Selës kërkon që në sistemin e drejtësisë të inkuadrohen prokurorë nga BE, ndërkaq për Besën është i patjetërsueshëm vetingu i gjyqësorit.
 
MERAL ISMAILI