Maqedoni

Ohri me plan-veprimi për ndërtimet pa leje. Useini: Tarraca ime është legale

08.08.2019 18:05

Moratorium i përkohshëm për ndërtimet e objekteve të reja si dhe për zbatimin e planeve dhe procedurave urbane për përcaktimin e statusit juridik...

Moratorium i përkohshëm për ndërtimet e objekteve të reja si dhe për zbatimin e planeve dhe procedurave urbane për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, u votua nga anëtarët e Këshillit komunal të Ohrit.
 
Vendimi u mor pas disa rekomandimeve nga UNESCO, që rajoni rreth liqenit të Ohrit ta ruajë statusin botëror të cilin e ka 40 vitet e fundit. Plani i veprimit parashikon heqjen e objekteve të ndërtuara pa leje në zonën e mbrojtur deri në mesin e vitit 2021.
 
Shumë nga objektet hotelerike përgjatë gjithë bregut të liqenit të Ohrit kanë marrë vendime nga komuna që deri në shtator për largimin platformave të ndërtuara  pa leje buzë liqenit.
 
"Njëkohësisht, të gjitha procedurat e reja për lëndët që kanë të bëjnë me lëshimin e lejeve të ndërtimit, lejeve të mbindërtimeve, ndërtimeve shtesë, pezullohen përkohësisht. Të gjitha procedurat që janë me leje ndërtimi në fuqi, mund të vazhdojnë me realizimin”,- theksoi kryetari i Ohrit, Konstantin Georgievski.
 
Anëtarët e opozitës kërkojnë që prishja e objekteve të ndërtuara pa leje të fillojë menjëherë e jo të pritet deri në vitin 20121.
 
“Me përgatitjen e regjistrit mundet të fillohet menjëherë me punë në lidhje me objektet pa leje. Nëse është moratoriumi i drejtë ose jo, nuk e di, flas për atë të përgjithshmin, por është fakt se duhet të fillohet nga diku”,- tha këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Kiril Pecakoski. 
 
Një nga ndërtimet më të përfolura në publik, në Ohër, për të cilat pretendohet se është e paligjshme, është tarraca e picerisë së këshillimit të BDI-së dhe biznesmenit, Nefi Useini. Ai argumenton se objekti nuk është i paligjshëm. Kërkon që shteti dhe komuna të kenë trajtim të njëjtë ndaj të gjitha ndërtimeve.
 
“Tarraca ime është legale, ka trembëdhjetë vjet. Bashkiaku dhe organet e larta të Zaevit të prishin të gjitha objektet e palejueshme buzë liqenit dhe malit Galiçicë, që është shumë i mbrojtur prej UNESKO-s, pastaj të arrijnë deri te piceria ime. Por, deri sa t’i prishin këto, unë do ta prish vet, edhe që është me dokument”,- theksoi këshilltari i BDI-së, Nefi Useini.
 
Parashihet që deri në shtator, komuna e Ohrit të bëjë regjistrim të hollësishëm të të gjitha ndërtimeve të paligjshme. Në planin aksional thuhet se heqja e ndërtimeve pa leje do të bëhet pas vlerësimit për ndikimin që ka ndaj trashëgimisë kulturore dhe natyrore që parashihet të jetë e gatshme në vitin 2021. 
 
FLUTURA LATIFI