Maqedoni
“La Verita”, publikohet video xhirim i ri për rastin “Zhvatja”. PSP: Videot s’kanë lidhshmëri me hetimet për rastin. PThP nuk zbulon nëse videon e kanë si provë
08.08.2019 18:25
Këto nuk janë pamje të një filmi holivudian të zhvatjes, por janë pamje, supozohet, të “Zhvatjes” së biznesmenit, Orce Kamçev...

Këto nuk janë pamje të një filmi holivudian të zhvatjes, por janë pamje, supozohet, të “Zhvatjes” së biznesmenit, Orce Kamçev, nga ana e Bojan Jovanovskıt i njohur si “Boki 13” dhe Zoran Mileski-Kiçeec, e që i publikoi gazeta italiane “La Verita”.
Xhirimet e publikuara datojnë nga 20 shkurti i këtij viti kur ata dy, rreth orës 16, shkojnë për t’i marrë paratë në shtëpinë e afaristit Kamçev që paraprakisht këta të fundit e kishin kërkuar si kusht për të “shpëtuar” Kamçevin nga lënda e PSP-së “Perandoria”.
Në pjesën e parë të videos, e cila supozohet të jetë xhiruar nga kamerat e sigurisë brenda, e që gazeta “La Verita” i ka siguruar, fillimisht shihen pamje të numërimit të parave në vlerë prej 1 milion euro, ndërsa në pjesën e dytë dhe të tretë është regjistruar largimi i dy të dyshuarve nga shtëpia e Kamçevit me milionin e ndarë në dy çanta.
Ndërsa në audio-xhirimin e publikuar nga “La Verita” dëgjohet biseda midis zhvatësit, Bojan Jovanovski, dhe biznesmenit, Orce Kamçev, në të cilën dëgjohet se si zhvatësi i premton biznesmenit se do të lirohet nga akuza për lëndën “Perandoria”, ku përmendet edhe emri i prokurores speciale, Katica Janeva.
Biseda telefonike:
BJ: Të hënën do t’ju lirojnë.
JK: Mirë.
BJ: Me gjasë të martën, më së voni, Supremja do t’ju shpallë të lirë.
JK: Por, nuk mund të mbërrijë të hënën çështja deri te Supremja?
BJ: Po, atëherë do të mbërrijë. PSP nuk do të shfrytëzojë “mjete” juridike shtesë. Asgjë nuk do të shfrytëzojë.
JK: Ndërsa Apeli?
BJ: Apeli do t’ju refuzojë. Ju duhet të parashtroni ankesë te Apeli, duhet të jeni gati, do të vazhdoni të ankoheni në Supreme si shkallë e dytë dhe në mendimin juridik parimor, Këshilli do të thirret atomatikisht, kurse Katica Janeva nuk do të përdorë mjete juridike shtesë për të zgjatur procesin, të hënën ose të martën ju jeni në liri.
Sipas PSP-së, videot e fundit dëshmojnë se ky institucion nuk ka asnjë lidhshmëri në rrëfimet e Jovanovskit dhe propozimet që PSP i ka dhënë për lëndën “Perandoria”. Si dëshmi ata thirren në faktin që në Gjykatën Supreme kanë kërkuar vazhdimin e paraburgimit shtëpiak ndaj afaristit në fjalë, por që Gjykata Supreme ka qenë ajo që ka vendosur ndryshe.
Nga Prokuroria e Përgjithshme Publike deri në këto momente nuk japin informacione nëse xhirimet e fundit janë pjesë e provave që PTHP posedon për këtë rast.
Ajo që është konfirmuar nga vet kryeprokurori Jovevski është se në rastin “Zhvatja” janë të involvuar edhe disa persona të tjerë dhe pasi grumbullohen të gjitha provat materiale, hetimet për këtë do të zgjerohen.
Autori i cili publikoi videon ka njoftuar se gjatë ditëve në vazhdim do të publikojë materiale të tjera të lidhur me këtë rast.
REXHEP QAMILI
