Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, Elezi: Zbardhje e shpejtë dhe sanksione për fajtorët

09.08.2019 15:44

Organet kompetente të drejtësisë duhet t’i rreken me seriozitet hetimit për rastin “Zhvatja”...

Organet kompetente të drejtësisë duhet t’i rreken me seriozitet hetimit për rastin “Zhvatja”, gjë që do të mundësonte zbardhjen sa më të shpejtë të rastit, sepse çdo hetim i vonuar për afera të këtilla zhvatëse paraqesin njollë të zezë për ndërtimin e shtetit juridik.
 
Për profesorin universitar, Zemri Elezi, nevoja për një hetim të hollësishëm që të mos lihet asnjë njollë dyshimi nevojitet në radhë të parë në Prokurorinë Speciale Publike, organ ky i cili u formua për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
 
Profesori Elezi thotë që të gjithë të involvuarit në këtë rast duhet të zbulohen sa më parë dhe të njëjtit të përgjigjen para organeve të drejtësisë. 
 
“Unë e shoh një seriozitet nga kryeministri Zaev, i cili insiston me çdo kusht që kjo çështje të zbardhet dhe gjithashtu shihet edhe insistimi i faktorit ndërkombëtar, sidomos i ShBA–ve.  Ndihmës-zëvendësi i sekretarit shtetëror i cili insiston që me çdo kusht ky problem të zbardhet dhe gjithsesi se fajtorët duhet të marrin sanksionet e duhura, që në njëfarë mënyre të mund të lehtësojë procedurën e integrimit të Maqedonisë dhe të mos e bllokojë hapjen e bisedave të Maqedonisë me BE-në”,- tha analisti, Zemri Elezi.
 
Pushteti dhe opozita janë me qëndrime të polarizuara mes vete, madje opozita kërkon që vendi sa më parë të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa Prokuroria dhe grupet e hetimit do të vazhdojnë punën rreth zgjerimit të hetimit pas 15 gushtit. Moszbardhja e rastit rrezikon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
 
“Opozita e shfrytëzon si adut e sulmon pozitën dhe moszgjidhja e këtij problemi në mënyrë të drejtë dhe në mënyrë serioze, unë mendoj se ndoshta jo në vjeshtën e këtij viti, por në pranverën e vitit 2010, gjithsesi do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme”,- tha analisti politik, Zemri Elezi.
 
Elezi bën thirrje që institucionet e drejtësisë por edhe elita politike në pushtet të punojnë me përkushtim të plotë në funksionimin e shtetit juridik, miratimin e Ligjit të ri për PTHP-në, edhe atë me konsensus të gjerë politik, sidomos opozita duhet të marrë parasysh faktin se vendi është në prag të marrjes së datës për bisedimet me BE-në dhe në përfundim të procesit aderues të vendit në Aleancën e NATO-s. 
 
FLUTURA LATIFI