Maqedoni

Temperaturat e larta, të sëmurët kronikë dhe shtatzënat lirohen nga puna

09.08.2019 16:03

Të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna janë të liruar nga obligimet e punës...

Sipas rekomandimeve edhe punëdhënësit duhet t’i riorganizojnë aktivitetet e punëtorëve të ndërtimtarisë të mos punojnë në ambiente të hapura në valën e të nxehtit gjatë ditës, por pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se jo të gjithë i respektojnë obligimet që vlejnë pas orës 11.
 
Sindikata e ndërtimtarisë apelon Inspektoratin e punës të bëjë kontrolle më të shumta, sepse punëtorët nuk guxojnë të punojnë në këtë të nxehtë, sepse temperaturat e larta mund të ndikojnë në shëndetin dhe jetën e tyre.
 
Deri më tani tek Sindikata nuk kanë arritur ankesa nga punëtorët e ndërtimtarisë. 
 
“Ka numër të madh të punëtorëve të ndërtimtarisë që punojnë në objekte, rrugë apo ndërtime të larta. Mendoj se një numër i madh i punëdhënësve nuk i respektojnë rekomandimet. Andaj iu kisha thënë  që të shëtisni nëpër rrugët e Shkupit të shihni se ku kryejnë punë ndërtimore ku investitorë janë institucionet e shtetit dhe të shihni se punëtorët punojnë në periudhën e nxehtë”,- tha sekretarja e Sindikatës së Ndërtimtarisë në RMV, Bllagica Stojkoska. 
 
Temperaturat e larta ndikojnë edhe tek taksi-vozitësit dhe tek shitësit në rrugë.
 
“Kur vozitim jemi me kondicioner, mirëpo kur presim në ndonjë vend e kemi shumë të vështirë”,- tha një taksist. 
 
“Detyra jonë është të vozisim edhe pse është shumë vapë”,- theksoi një taksist.  
 
“Në këtë të nxehtë dukemi si hardhucë, të kemi të paktën punë, por nuk kemi sa duhet”,- u shpreh një taksist. 
 
Mjekët u rekomandojnë qytetarëve që prej orës 11 deri në 17 të qëndrojnë në shtëpi kur është më nxehtë, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe ushqim të lehtë dhe të vishen me rroba adekuate.
 
Sipas alarmit të motit, vendi është në fazën e portokalltë dhe moti i nxehtë do të mbretërojë edhe gjatë ditëve të ardhshme.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI