Maqedoni
Rasti “Zhvatje”, Kaleska: Mickovski lidhje direkte me publikuesin e videos. Janushev: Hetimi të kalojë në duar të prokurorit kredibil
09.08.2019 16:26
Socialdemokratët akuzojnë VMRO-DPMNE-në dhe Hristijan Mickovskin për lidhje direkte me publikuesin e videos për rastin “Zhvatja”...

Nga kjo parti dyshojnë për takim midis Mickovskit dhe autorit italian në Budapest. Pyesin se çfarë i ka dorëzuar Mickovski atij, pasi sipas LSDM-së publikimi i videos është pjesë e skenarit të parapërgatitur që të dëmtohet hetimi dhe të sabotohet procedura e dëshmive.
“Të gjitha skemat dhe lidhjet për publikimin e incizimit për rastin “Zhvatja” shpijnë në oborrin e bardhë i cili është pas meje, selinë e VMRO-DPMNE-së dhe te shefi i tyre i vërtetë, Nikolla Gruevski. Autori i teksteve të cilat dalin në median italiane ka relacione me VMRO-DPMNE-në. Këshilltar i Nikolla Gruevskit ka qenë anëtar në të njëjtën organizatë në të cilën është anëtar autori i tekstit. Gazeta ka publikuar intervistë me Nikolla Popovskin nga VMRO-DPMNE, ku promovohet projekti i Nikolla Gruevskit kundër organizatave joqeveritare në vend”,- theksoi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska.
Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë si joserioze akuzat për lidhje të VMRO-së me median italiane. Kërkojnë që rasti të kalojë në duar të një prokurori kredibil, ndërkaq Janeva të paraburgoset.
“Villma Ruskoska nuk ka kredibilitet të udhëheqë rastin. Nevojitet që rasti “Zhvatja” të merret nga prokurorë tjetër kredibilë dhe të zgjerohet hetimi. Menjëherë të shqiptohet masa e paraburgimit për Janevën dhe të hetohet se sa lëndë të PSP-së janë shfrytëzuar për zhvatje. Zhvatje e përmasave të tilla nuk mund të ndodh pa dijeninë e kryesisë së pushtetit. Zaev duhet të mbart përgjegjësi”,- u shpreh sekretari i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Nga VMRO ripërsërisin kërkesat për dorëheqje të qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
MERAL ISMAILI
