Maqedoni
Protesta për deslokimin e deponisë në Orllancë, banorët ngulfatet nga tymi dhe era e keqe e deponisë
09.08.2019 17:24
Banorët e fshatit Orllancë janë të ngujuar mes dy deponive të egra, pjesë e komunës së Haraçinës...

Për gati 20 vite, mbi 1 mijë banorë të këtij fshati dhe qindra të tjerë të fshatrave përreth, përfshi edhe ato të komunës së Likovës, vuajnë nga bërlloku i cili hidhet në deponitë e egra në Grushinë dhe Nikushtak.
Banorët e fshatit Orllancë kërkojnë që brenda 8 ditëve të largohen deponitë ose në të kundërtën do të vazhdojnë me masa më rigoroze.
“Kjo është edhe vërejtja e fundit, pasi që kemi pasur protesta të ngjashme edhe më herët. Por, protestat tjera do të jenë më radikale, sepse të rinjtë nuk i durojnë këto helmime, ose të bëhet shpërngulja e tërë fshatit që ka rreth 200 familje ose deslokimi i deponisë. Ne kërkojmë që brenda 8 ditëve të dislokohet dhe brenda 15 ditëve të rregullohet me kanal që mos të këtë shans të hidhen mbeturinat”,- tha një banor i fshatit Orllancë.
“Këto nuk guxojnë të hidhen këtu, sepse janë mbeturina medicinave, për këto duhet të ketë ekipe speciale, por ajo kushton shtrenjtë dhe ata vijnë i hedhin natën kur nuk i sheh askush. Me hy brenda e të hulumtojnë mirë, ndoshta gjendet edhe kush i ka hedh këtu. Ne apelojmë deri tek Ministria e Ambientit dhe ajo e shëndetësisë që t’i rregullojnë këto gjera”,- theksoi një banor i fshatit Orllancë.
“Në këtë tym të zi dhe kur djegin gomat dhe plastika, formohet një substancë helmuese, e rrezikshme dhe vdekjeprurëse. Këtu ishte evident një virus në fshat me kokëdhembje, me vjellje dhe diare, p thuajse e gjithë fshati ishte me këtë virus”,- u shpreh një banor i fshatit Orllancë.
Përveç dëmit të tokës dhe shëndetit të njerëzve, banorët e Orllancës shprehen se deponitë e egra paraqesin “kancer” edhe për bagëtitë e tyre.
Si rezultat i mbeturinave të ndryshme disa fshatarëve u kanë ngordhur edhe kafshë shtëpiake.
“Ne merremi me blegtori dhe bujqësi, kafshët çka kullosin këtu fryhen në bark, ngordhin, edhe qumështi çka shfrytëzohet prej atyre kafshëve ne e përdorim, por edhe e shesim edhe ata e blejnë me helm ajo është një dëm shumë i madh ne këtu në fshat gjithçka është me helm edhe fëmijët i ushqejmë me helm jo vetëm prej tymit, por edhe qumështi është me helm”,- theksoi banori i fshatit Orllancë.
Banorët e fshatit Orllancë thonë se për shkak të deponisë në këtë vend mblidhen shumë qen endacakë të cilët janë të rrezikshëm edhe për jetën e njeriut.
REJHANE BUSHI-METAJ
