Maqedoni
Video-incizimi, Janeva: Kam biseduar për të marrë më shumë detaje rreth hetimit. Lile Stefanova: Janeva kërkonte t’i mbyllnim lëndët pa dënime me burg. Prokuroria Publike: Hetimi po vijon, do të veprojmë në mënyrë joselektive
09.08.2019 18:01
Pas publikimit të pjesës së dytë të skandalit në rastin “Zhvatja”...

Pas publikimit të pjesës së dytë të skandalit në rastin “Zhvatja”, ku protagonist është edhe kryeprokurorja speciale, Katica Janev, përmes një njoftimi të publikuar në ueb faqen e Prokurorisë Speciale kanë reaguar dy prokuroret, Katica Janeva dhe Lile Stefanova. Janeva, zëri i së cilës dëgjohet në përgjim pranon se ka biseduar me Kamçevin, por në cilësinë e prokurores dhe se e gjithë kjo është realizuar për të nxjerrë sa më shumë informacione nga hetimi.
“I kam dëgjuar incizimet e postuara në portale që kanë lidhje me rastin “Zhvatja”. Jam e habitur se si veprimet e mia si prokurore speciale vihen në korrelacion me rastin “Zhvatja”. Si prokurore speciale është detyra ime të kontaktoj me të gjithë të dyshuarit, si dhe personat e tjerë lidhur me procedurat penale në këtë Prokurori Publike dhe të përpiqem të nxjerr sa më shumë informacione për të përmirësuar pozicionin për secilin hetim/për çdo rast individualisht. Kam folur për rritjen e nivelit të bashkëpunimit me të dyshuarit, për të zbuluar informacione të reja në lidhje me hetimin, më saktë, përmirësimin e pozicioneve tona si prokurorë publikë, por në asnjë mënyrë, në asnjë kohë, nuk kam bërë pazar për ndonjë ndikim, nuk kam abuzuar me pozitën time zyrtare dhe nuk kam vepruar në kundërshtim me ligjin. Një prokuror është gjithmonë një prokuror, edhe kur bisedon me të dyshuarit përmes telefonit, ndërsa për këtë rast në atë kohë kishte arsyetim”,- deklaroi kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.
Edhe prokurorja tjetër speciale, Lile Stefanova, emri i së cilës përmendet gjithashtu në audio-incizim, drejtoi akuza në drejtim të Janevës, duke thënë se kjo e fundit ka kërkuar që për dy lëndët, “Perandoria” dhe “Banka Postare” të shqiptohen vetëm dënime në para.
“Më 16 prill të vitit 2019 në zyrën e Katica Janevës u mbajt një mbledhje në të cilën ajo para prokurorëve prezantoi disa vendime të cilat ndërlidheshin me lëndët “Perandoria” dhe “Banka Postare”. Konkretisht, na u urdhërua që të dorëzojmë raporte me shkrim për dëmin që të dyshuarit duhet t’i paguajnë shtetit, pas çka lëndët duhet të “mbyllen” dhe “të dyshuarit të mos shkojnë në burg”. Megjithatë, unë dhe prokurori, Burim Rustemi, përgatitëm raporte me shkrim në të cilat përskaj shumës së dënimit i nënvizuam dhe dënimet e mundshme me burg në pajtim me Kodin Penal, në rast të marrëveshjes me prokurorin publik. Plotësisht për rastin “Perandoria” kam potencuar se hetimi është në fazë shumë të hershme për ndonjë marrëveshje eventuale dhe se hetimi duhet të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme”,- tha prokurorja speciale, Lile Stefanova.
Edhe biznesmeni, Vanço Çifliganec, i cili është përmendur nga Orce Kamçev në bisedë, demanton pretendimet se ka kërkuar ordinancë stomatologjike për prokuroren, Lile Stefanova.
Nga Prokuroria e Përgjithshme Publike theksojnë se incizimet e publikuara në median italiane lidhur me lëndën “Zhvatja” nuk janë marrë nga Prokuroria.
“Bëhet fjalë për audio dhe video materiale të cilat janë pjesë e procedurës hetimore në lëndën përkatëse dhe të cilat deri tek Prokuroria Publike janë dorëzuar nga një dëshmitar i lëndës. Prokuroria Publike rreth lëndës vepron në mënyrë profesionale dhe joselektive. Procedura hetimore është në rrjedhë dhe prokurori publik ka ndërmarrë veprime hetuese që të sigurohen dëshmitë dhe të vërtetohet gjendja faktike sipas planit të përgatitur, i cili siguron hetim të plotë mbi rastin. Në rast se gjatë hetimit do të vërtetohen elemente të tjera të veprës penale apo kryerës të tjerë, procedura do të zgjerohet dhe opinioni për këtë menjëherë do të njoftohet. Pas përfundimit të plotë të hetimit do të sillet vendim i Prokurorisë”,- u tha nga Prokuroria Publike.
Nga Prokuroria theksojnë se pushimet vjetore nuk do të ndikojnë në procesin e hetimit, pasi edhe pse një pjesë e prokurorëve janë në pushim vjetor, janë caktuar prokurorë të cilët i zëvendësojnë si dhe hetues të cilët çdo ditë në mënyrë aktive punojnë në lëndën.
Se hetim selektiv të rastit nuk do të ketë e tha edhe prokurori shtetëror, Lubomir Jovevski, i cili në një deklaratë për disa media njoftoi se të gjithë personat e involvuar në rastin “Zhvatja” do të thirren në bisedë dhe do të hetohen.
ZEKIRIJA MEXHITI
