Kulturë
Strugë, mbahet Festivali ndërkombëtar artistik “Ktu Fest”
09.08.2019 18:23
“Çdo rrugë të çon në Strugë”, kjo ishte motoja 5 ditore e festivalit ndërkombëtar artistik “Ktu Fest”...

“Çdo rrugë të çon në Strugë”, kjo ishte motoja 5 ditore e festivalit ndërkombëtar artistik “Ktu Fest”, që u organizua për 6 vite me radhë në qytetin buzë liqenit, duke i shtuar kështu një vlerë të veçantë artistike qytetit në pikën e sezonit turistik. Regjisorja, Olsa Maze Poshka, edhe sivjet në këtë festival solli shumë emra të njohur dhe veprat më të mira të këtij viti si “Cold November” nga Ismet Sijarina, shfaqja “Hollyshit” nga Ilir Bokshi etj.
“Ka shumë gjëra të bukura që kanë ndodhur, sepse festivali është në ditën e tretë. Hapja ishte shumë interesante, pastaj dje kishim një vepër shumë të mirë nga Tetova, sonte do të kemi ekspozitën “121 historitë e suksesit” që janë femrat shqiptare, të cilat janë cilësuar si femrat e suksesshme të vitit 2019”,- tha organizatorja e “K’tu fest”, Olsa Maze Poshka.
Pjesë e këtij festivali ishte edhe ekspozita e “Albanian Excellence” “121 jetë suksesi në 121 foto”, e organizuar nga Flora Nikollaj, e cila thotë se ekspozita pasqyron suksesin e gruas shqiptare kudo që ajo vepron.
“Nuk kam se si mos të kem emocione, sepse të gjitha këto zonja, motra, nëna që na rrethojnë në teatrin “Poshka sot” dhe në “K’tu Fest”, na kanë bashkuar dhe kanë shkatërruar të gjithë kufijtë, kështu që kufijtë ekzistojnë vetëm politikisht, vetëm në harta, sepse ne jemi të gjitha bashkë”,- theksoi Flora Njikollaj nga “Albanian Excellence”.
Ekspozita solli në Strugë edhe disa nga zonjat e nderuara, që me jetën dhe veprën e tyre jetësore u bënë pjesë jo vetëm e kësaj ekspozitë, por lanë edhe gjurmë të pashlyeshme në artin kinematografik dhe teatror shqiptar.
“Me thënë të drejtën është emocion i bukur, është magji e bukur, sepse është vet femra magji, është poetike këtë e dimë të gjithë. Fjala dhe poezia e famshme e paharruar e Çajupit tonë të madh “Burrat nën hije... pika si s’u bie se nga gratë rrojnë” - u bë një realitet i jashtëzakonshëm në Shqipëri”,- u shpreh artistja e popullit, Margarita Xhepa.
“Kam kaq vjet që vi në këtë aktivitet të mrekullueshëm që e bëjnë këtu dhe vërtetë kemi mbetur të kënaqur jashtëzakonisht me pritjen e tyre, me aktivitetin e tyre me mënyrën e tyre. Mikpritës për gjithçka. Por, këtë rast nuk e besova, bravo gra”,- deklaroi artistja e popullit, Tinka Kurti.
Aktorët ikona të skenës shqiptare, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Yllka Mujo dhe të tjerë u nderuan me mirënjohje nga “Albanian Excellence”.
XHANAN HALILI
