Blerja e kurbanit, përgatitjet për sofrën e Bajramit
Në prag të festës së Kurban Bajramit besimtarët muslimanë në vend...

Në prag të festës së Kurban Bajramit besimtarët muslimanë në vend, vazhdojnë përgatitjet për pritjen e festës.
Besimtarët kujdesen për blerjen e produkteve ushqimore,rrobave, por edhe për përgatitjen e kurbanit, simbolit të kësaj festeje.
Paralelisht me këtë, tashmë për disa ditë në Shkup është i hapur tregu i improvizuar i bagëtive, në të cilin besimtarët muslimanë mund të vijnë për të blerë një kurban.
Tregtarët në këtë treg të improvizuar ankohen se këtë vit interesimi është jashtëzakonisht i ulët, ndoshta edhe nga çmimi i bagëtive që duket më i lartë nga çmimi të cilin e ofrojnë shitësit tjerë përmes organizatave të shumta islame.
“Interesimi i dobët është. N’a këputën shoqatat. Gënjejnë popullin t’ju japin para, dhe ato janë vetëm gënjeshtra. Sikur e pret dora yte. Prej viteve tjera më dobët është, prej shoqatave, ajo është arsyeja kryesore”
“Katastrofë. Edhe për ata që blejnë nuk është aq lirë, 100 euro nji dele, por për neve nuk paguhet aspak. Nuk paguhet në aspekt se tërë dimrin kemi bë shpenzime, tërë verën me çobanë, dhe në fund 100 euro një dele, më së shumti 200 euro nji dash. Përgjithsi është katastrofë. Interesimi i dobët, por edhe populli nuk ka kushte të mjaftueshme”
“Kurbanat prej 400 euro, 500, 100, 200, çmimet nuk janë të larta, por qytetarët nuk kanë kushte”.
“Ka pas interesim, por ka edhe më shumë. Shpresojmë se deri më vonë do shiten krejt.” – thanë disa nga shitësit e kurbanave për TVM2.
Nga ana tjetër, frekuentimi i tregut të gjelbër të “Bit Pazarit”, është shumë më i madh se ai i bagëtive.
Edhe pos temperaturave të larta, dhe disa orëve para kremtimit të festës, shumë qytetarë kishin dalur të blejnë finesat e fundit për Kurban Bajramin.
Simboli i festës së Kurban Bajramit është prerja e kurbanit, në përputhjeve me rregullat islame. Mishi i kurbanit u ndahet të varfërve, fqinjëve dhe familjes.
Rituali i kësaj feste fillon me faljen e namazit të Bajramit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët, shokët dhe miqtë. (Fjolla Telai, TVM2)
