Kuvendi i Kosovës nesër pritet të zgjedhë kryeparlamentarin
Në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet nesër, mund të ndodhë që në rast se nuk zgjidhet kryetar i Kuvendit i nominuari nga ana e PDK-së...

Në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet nesër, mund të ndodhë që në rast se nuk zgjidhet kryetar i Kuvendit i nominuari nga ana e PDK-së, seanca të mbyllet me kërkesë të Flora Brovinës.
Një përfundim i tillë mund të pritet pasi që PDK-ja ndihet nën presion nga marrëveshja e opozitës dhe nga ana tjetër ka "me vete" edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Çdo vendim që do të merret pas mbylljes së seancës do të konsiderohet jo-kushtetues, raporton “Tribuna”.
“Vazhdimi i seancës konstituive, ku parashihet votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, mund të ndërpritet nëse nuk kalon propozimi i PDK-së për zgjedhjen e kryeparlamentarit. E nëse kjo nuk ndodhë, seanca do të mbyllet nga kryesuesja e seancës, Flora Brovina. Dhe me mbylljen e seancës përfundojnë edhe mbështetjet e Administratës së Kuvendit”- ka thënë një burim për gazetën.
