Maqedoni
Përmendoret shqiptare përgatiten në Itali
11.09.2014 16:21
Shumë shpejt do të vendosen tre përmendoret shqiptare në Shkup. Komuna Qendër për TVM-2 paralajmëroi se procedura për vënien e tre heronjve shqiptarë...

Shumë shpejt do të vendosen tre përmendoret shqiptare në Shkup. Komuna Qendër për TVM-2 paralajmëroi se procedura për vënien e tre heronjve shqiptarë në kryeqytet ka nisur dhe shumë shpejt kjo do të realizohet.
Ndonëse para një muaji përfaqësuesit e kësaj Komune njoftuan se mungojnë dokumentacionet e tenderëve dhe faturave të papaguara, sot nga Komuna Qendër bëjnë me dije se janë tejkaluar të gjitha problemet e mundshme rreth kësaj çështje.
Zëdhënësja e kësaj Komune, Katerina Canevska-Arsovska, premton se Komuna Qendër nuk do të lejojë të mos vendosen përmendoret shqiptare dhe të përkeqësohen marrëdhëniet ndëretnike në vend. Bustet dhe përmendoret e Nexhat Agollit, Pjetër Bogdanit dhe Josif Bagerit janë duke u punuar në Itali.
“Në fazën e përfundimit është njëri nga tre bustet e heronjve shqiptarë. Kur do të mbarohen edhe dy bustet e tjerë dhe kur të njëjtit do të dërgohen nga Italia në Shkup, atëherë edhe do të vendosen tre përmendoret shqiptare. Vendosja e tre përmendoreve shqiptare është obligim, i cili është marrë nga qeverisja e kaluar në këtë Komunë, ndërsa në opinion dihet qartë se ngecja e realizimit të projektit të tre përmendoreve shqiptare është krijuar qëllimisht ndërmjet dy cikleve zgjedhore nga qeverisja e kaluar”- deklaroi zëdhënësja e Komunës Qendër, Katerina Canevska.
Vendosja e përmendoreve të Nexhat Agollit, Pjetër Bogdanit dhe Josif Bagerit në Shkup, duhej të ndryshonte karakterin monoetnik të projektit “Shkupi 2014 “.
REXHEP QAMILI
