Maqedoni

Aksion për dhurimin e gjakut në përkujtim të 11 shtatorit 2001

11.09.2014 17:12

Ambasada e SHBA-ve në bashkëpunim me “Kryqin e Kuq” të qytetit të Shkupit dhe me Institutin e Transfuziologjisë...

Ambasada e SHBA-ve në bashkëpunim me “Kryqin e Kuq” të qytetit të Shkupit dhe me Institutin e Transfuziologjisë, për të gjashtin vit me radhë organizuan aksionin për dhurimin e gjakut dhe dhurimin e produkteve ushqimore në shenjë kujtimi për ngjarjen e 11 shtatorit të viti 2001. 
 
Me këtë rast edhe ambasadori i SHBA-ve, Poll Uollers, pasi dhuroi gjak, falënderoi të gjithë qytetarët e Maqedonisë, ushtarët, policët, organizatat fetare dhe politikanët nga Maqedonia që erdhën në Ambasadë për të dhuruar gjak dhe për ta mbështetur iniciativën e tyre.
 
"Ne kujdesemi për t’i shërbyer komunitetit ku jetojmë këtu në Shkup. Ne shpresojmë se këtu sot do të vendosim një rekord të ri për donacione, që sa më shumë qytetarë të Maqedonisë të kenë përfitim nga kjo ngjarje"- deklaroi ambasadori, Poll Uollers.
 
Ky event e ndihmon “Kryqin e Kuq” në rimbushjen e rezervave të gjakut dhe në furnizimin e familjeve në nevojë me ushqim dhe gjëra të tjera për ditët e dimrit që janë para nesh.
 
“Është një aksion grumbullues, aksion i cili mund të bëhet manifestimi i solidaritetit, humanitetit të njerëzve, është një aksion i cili çdo vit shkon në rritje e sipër, për nga brendia është i përbërë nga një aksion i grumbullimit të gjakut, të cilin e shfrytëzojnë gjatë dimrit familjet të cilat kanë nevojë”- theksoi sekretari i përgjithshëm i “Kryqit të Kuq”, Sait Saiti.
 
Shqiptarët e Maqedonisë të organizuar nga qytete të ndryshme, iu bashkuan këtij aksioni humanitar.      
                                                                              
“Është hera e dytë që vijmë të organizuar nga qyteti i Dibrës së Madhe me organizatorin Ibrahim Kolari. Dhurimi i gjakut është humanizëm për një jetë më shumë, kur ne japim 300 ose 400 litra gjak do të thotë se qindra e qindra të tjerë janë në vijën e shpëtimit”- u shpreh Sazan Papraniku nga Dibra.                                        
 
“Ne si popull shqiptarë nga Dibra, i solidarizohemi këtij evenimenti shumë të vyeshëm, sepse ne mendojmë ta vazhdojmë dhe ta bëjmë si një ditë tradicionale”- tha Ibrahim Kollari.                                            
Të gjithë donatorët e gjakut përfshinin moshën prej 18-65 vjeç, të cilët kanë qëndruar në Maqedoni për të paktën gjashtë muaj.
 
Gjithashtu me këtë rast u  grumbulluan edhe produkte ushqimore që nuk prishen shpejt dhe janë me rezistente, si: oriz, fasule, kripë, sheqer, miell, pasta e shumë ushqime të tjera.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU