Zv.kryeministri Duraki takoi ambasadorin shqiptar Fatos Reka
Zv.kryeministri dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Sadulla Duraki....

Zv.kryeministri dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Sadulla Duraki, sot realizoi takim me Ambasadorin e Shqipërisë, Fatos Reka.
Ambasadori Reka përgëzoi zëvendëskryeministrin për detyrën e re në Ministrinë e sapoformuar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, duke theksuar se udhëheqja e tij në këtë institucion do t’i japë impuls më të vrullshëm avancimit të pikave që dalin nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit.
“Mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ingerencë e ministrisë së re, do të ndihmojë në përforcimin e shtyllave të kohezionit social dhe integrimit të shtetit në strukturat euro-atlantike”, theksuan ata.
Në aspektin e implementimit të plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në shtet, zëvendëskryeministri Duraki theksoi se ndihma e Shqipërisë në aspektet gjuhësore është e domosdoshme për unifikimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ambasadori Reka dhe zëvendëskryeministri Duraki potencuan se bashkëpunimi institucional dhe vëllazëror mes vendeve, si shtete aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është thelbësor për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
