Maqedoni
Largohen tregtarët jolegal në bulevardin para “Bit Pazarit”
11.09.2014 18:03
Në një aksion të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, me asistim edhe të Policisë, janë larguar sot të gjithë shitësit e luleve, pemëve dhe perimeve në bulevardin “Kërste Misirkov”,...

Në një aksion të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, me asistim edhe të Policisë, janë larguar sot të gjithë shitësit e luleve, pemëve dhe perimeve në bulevardin “Kërste Misirkov”, përkatësisht para tregut të “Bit Pazarit” në Shkup.
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se aksioni u realizua në përputhje me Ligjin për Tregti, pasi që tezgat jashtë tregut ishin vendosur në mënyrë të jashtëligjshme.
Aksioni është ndërmarrë me qëllim të eliminimit të konkurrencës jolojale, thekson drejtori i Inspektoratit.
“Inspektorati Shtetëror i Tregut aktivitetin e realizoi sot në koordinim me inspektoratin Komunal të Qytetit të Shkupit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit. Po ashtu, me kërkesë edhe të Odës së Zanatçinjve dhe përfaqësuesit e tezgaxhinjve në “Bit Pazar”, si dhe të kompanisë “Skopski Pazar”, e cila në njëfarë mënyre e menaxhon hapësirën. Qëllimi është të eliminohet konkurrenca jolojale, pasi që kemi njerëz që paguajnë për tezga, që do të thotë punojnë legalisht. Të gjithë shitësit jolegal duhet t’i eliminojmë nga rrugët, kjo është në përputhje me Ligjin për Tregti. Këto aktivitete do t’i realizojmë jo vetëm në këtë pjesë të qytetit, por edhe në tërë territorin e qytetit të Shkupit dhe Republikën e Maqedonisë”- deklaroi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Kirill Minovski.
Koordinimin e aksionit e konfirmuan edhe nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“Sot kishte një aksion të përbashkët të Inspektoratit të Qytetit të Shkupit, Komunës së Çairit, Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të cilin u pastrua hapësira në “Bit Pazar”. Ky aksion nuk do të jetë i fundit. Ne vazhdimisht do ta përcjellim këtë hapësirë, nëse dikush përsëri tenton të shesë pa leje në atë pjesë do të largohet”- theksoi kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.
“Në bashkëpunim me shërbimet tjera kompetente, Policia doli në teren dhe asistoi në realizimin e kontrollit në “Bit Pazar” për tezga të vendosura pa leje dhe deri në këtë moment nuk kemi informacione për çfarëdo incidenti dhe nuk ka pasur nevojë për kurrfarë intervenimi të Policisë”- tha Ivo Kotevski nga MPB.
Por, shitësit, të cilëve sot iu konfiskua malli, thonë se janë të vetëdijshëm që nuk është e lejuar që të shesin në bulevard, por nuk kanë ku të shesin, meqë nuk kanë tezga brenda në treg.
“Sigurish që është e palejueshme me shitë, por kur nuk ke ku me shitë ne jemi të detyruar me dalë përjashta. Kemi kërkuar tezga brenda, nuk ka të lira. Është sezoni i specit, rrushit, është një mall që shitet dy apo tre muaj dhe kemi menduar se mundemi me fitu diçka. Afërsisht kemi marrë 100, 200, 300 deri në 500 euro mall. Nuk ka ardhur askush me na thënë largohuni se kemi me ardhur me ua marrë mallin”- u shpreh një shitës.
Sa i përket mosparalajmërimit, nga Inspektorati kanë këtë sqarim.
“Në takimet koordinatave me të gjithë njerëzit relevant të institucioneve që i përmendëm, diskutuam nëse duhet të shkojmë në paralajmërimin e shitësve jolegal, apo të shkohet direkt në intervenim të Inspektoratit. U theksua se tanimë disa herë nga komuna dhe Qyteti i Shkupit është apeluar dhe janë informuar që të gjithë shitësit jolegal të largohen nga ajo hapësirë dhe në fund u vendos që të shkohet direkt me intervenim të Inspektoratit, që kishte për qëllim t’i identifikojë ato shitës jolegal dhe tu konfiskohet malli”- deklaroi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Kirill Minovski.
Por, me gjithë rrezikun që sërish tu konfiskohet malli, tregtarët thonë se në pamundësi për të gjetur zgjidhje tjetër për të siguruar ekzistencën, do të jenë të detyruar të dalin përsëri për të shitur në të njëjtin vend.
GYLTENE SINANI
