Maqedoni
Kërçova dhe Likova së shpejti me ujësjellës
11.09.2014 18:05
Ministria e Ekologjisë ka nënshkruar sot marrëveshjet me kompanitë që do të marrin përsipër të ndërtojnë ujësjellësin në qytetin e Kërçovës dhe Komunën e Likovës...

Këto projekte realizohen me financim të Qeverisë, theksoi pas nënshkrimit të marrëveshjeve ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
“Kjo marrëveshje ka të bëjë me seksionin dy që e përfshin vijën e fshatit Kollare deri te fshati Strogomishtë e Poshtme. Kompania, e cila në përputhje me procedurën ligjore është zgjedhur realizuese e projektit, është kompania “Iseni” nga fshati Strellcë, Osllome. Dëshiroj të theksoj se ky është një projekt shumë i rëndësishëm infrastrukturor, me të cilin jo vetëm që do të përmirësohet furnizimi me ujë për banorët e Komunës së Kërçovës, por do të ndikohet edhe ndaj përmirësimit të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe shëndetit të njerëzve në këtë rajon”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
Ndërsa kompania “Vardargradba”, ka fituar tenderin për ndërtimin e stacionit rajonal për furnizimin me ujë në Komunën e Likovës.
Për ndërtimin e këtyre ujësjellësve, nga buxheti shtetëror janë ndarë nga 59 milion denarë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
