Maqedoni
Policia zbulon inspektorin e rrejshëm të DAP
11.09.2014 18:11
Ministria e Punëve të Brendshme, ka ngritur padi penale për mashtrim kundër 37 vjeçarit që është vetëshpallur inspektor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike...

Ai, si inspektor i rrejshëm i DAP-së është paraqitur në restorante dhe kafene. Ai ka kërkuar të holla nga pronari i një kafeneje që të intervenojë te inspektorët e tjerë që mos ta vizitojnë kafenë e tij.
Pronari ka paraqitur rastin pasi veç më një herë i ka paguar shumën prej 3 mijë denarësh inspektorit të rrejshëm. Personi në fjalë është arrestuar në vendngjarje kur dhe për herë të dytë ka kërkuar dhe pranuar 6 mijë denarë para të përpunuara nga MPB-ja.
“Ai është prezantuar si inspektor tatimi dhe u ka ofruar ndihmë rreth procedurave dhe obligimeve që kanë ndaj DAP-it dhe për shërbimin fillimisht u ka kërkuar 3 mijë denarë. Pasi kanë paguar shumën, pas disa ditëve personi përsëri ka kontaktuar me pronarët, ku u ka thënë se ka njohuri që inspektorët tatimorë do të shkojnë në kontroll në kafenenë e tyre. Që të mos shkojnë inspektorët dhe ai t’iu ndihmojë përsëri, ka kërkuar shumë të caktuar prej 6 mijë denarëve, me arsyetimin që duhet t’i qeras inspektorët. Pas kësaj, pronarët kanë vendosur të paraqesin rastin në Polici. Janë ndërmarrë masa taktike operative për të dëshmuar veprën penale”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Personi në fjalë, sipas MPB-së, që nga viti 2006 është i njohur për Policinë me paraqitje të tilla të rrejshme.
FLORIJE KAMBERI
