Botë
Obama, i vendosur të luftojë ISIS-in
11.09.2014 18:14
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në fjalimin kombëtar në Shtëpinë e Bardhë ka thënë se është i përgatitur për të sulmuar militantët e Shtetit Islamik...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në fjalimin kombëtar në Shtëpinë e Bardhë ka thënë se është i përgatitur për të sulmuar militantët e Shtetit Islamik (IS) në Siri dhe në Irak dhe se do të dërgojë 475 ushtarë shtesë në një fushatë të intensifikuar “për të shkatërruar dhe degraduar” grupin militant.
“E kam bërë të qartë se ne do t’i ndjekim terroristët kudo që janë, kërcënimet më të mëdha vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, ku grupe radikale shfrytëzojnë pakënaqësitë për përfitime të tyre dhe një prej këtyre grupeve është ISIL, e cila e quan veten “Shteti Islam". Islami nuk lejon dhunë dhe vrasje të të pafajshmëve dhe pjesa më e madhe e viktimave të ISIL-it kanë qenë mysliman. ISIL është një organizatë terroriste, e cila nuk ka vizion tjetër përveç vrasjes së të gjithë atyre që qëndrojnë në rrugën e saj"- deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.
Ai ka paraqitur një strategji për të zgjeruar luftën kundër Shtetit Islamik, duke u zotuar se Amerika “do të udhëheqë një koalicion të gjerë për të mposhtur këtë kërcënim terrorist”.
"Pra, kjo është strategjia jonë, Amerika do të bashkohet me një koalicion të gjerë të partnerëve. Qëllimi ynë është i qartë: ne do të degradojmë dhe do të shkatërrojmë Shtetin Islamik përmes një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme kundër terrorizmit. Personeli shtesë ushtarak i Shteteve të Bashkuara, që do të vendoset në Irak, nuk do të ketë mision luftarak dhe SHBA-ja nuk do të futet në një tjetër luftë në Irak. Dua që populli amerikan ta kuptojë se kjo përpjekje do të jetë ndryshe nga luftërat në Irak dhe Afganistan. Ajo nuk do të përfshijë trupa amerikane që luftojnë në tokën e huaj”- theksoi presidenti Obama.
Ai e ka krahasuar strategjinë e re me përpjekjet antiterroriste të SHBA-së në Jemen dhe Somali në vitet e fundit. Shtetet e Bashkuara kanë kryer mbi 150 sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak dhe u kanë siguruar armë forcave irakiane dhe kurde që luftojnë militantët.
LEUNORA KALIQI
