Maqedoni
Ligji për prokurorinë publike, grupet e punës mblidhen këtë javë; Selmani: Dakordimi i vështirë, nevojitet trup i huaj
18.08.2019 15:34
Javën që vjen pritet takimi i radhës midis grupeve të punës për dakordimin e ligjit për Prokurori Publike...

Përfaqësuesit e VMRO-së opozitare dhe LSDM-së në pushtet do të ulen në tryezën e përbashkët pas pushimeve, por tani në një atmosferë më të rënduar si pasojë e shpërthimit të rastit ‘Zhvatje’, ku përflitet edhe emri i kryeprokurores speciale Katica Janeva.
Nga LSDM shprehin gadishmëri përtë negociuar për zgjidhjen ligjore por edhe për fatin e Janevës.
Nga VMRO-DPMNE thonë se ligji ashtu siç është propozuar nga qeveria s’duhet të kalojë si pasojë e zhvillimeve të fundit dhe publikimin e ‘bombave’ italiane ku dëgjohet zëri i Janevës me biznesmenin Orce Kamçev. Analisti Bashkim Selmani vlerëson si të vështirë arritjen e kompromisit pushtet –opozitë.
Ai zgjidhjen e shikon në vendosjen e një trupi të huaj në sistemin gjyqësor në vend që do të ndiqte krimin.
“Tanimë ato nuk bëjnë përpjekje për të vënë në funksion shtetin e së drejtës, por ata vënë në funksion se si të mbrohen, për arsye se krimi qenka më i thellë se sa që ka njohuri opinioni. Maqedonia është e zhytur në krim ndërkombëtarë. Krimi ndërkombëtarë nënkupton elementet e shteteve të huaja që gjejnë formën, mënyrat e shantazhimit e kështu me rradhë dhe prandaj duhet një trup i veçantë të funksiononte dhe të godiste krimin pa kompromis duke filluar nga politika për asrye se në Maqedoni keqbërësit më të mëdhenj janë vetë politikanët se kështu është dëshmuar pasiqë qytetarët nuk e bëjnë krimin. Ky është problemi elementar se sa do që të zgjedhin dhe këdo që të zgjedhin përsëri nuk do të ketë forcën e goditjes të veprimit të këtillë”, shprehet analisti politik Bashkim Selmani
Opozita propozon që prokurorët special të kthehen në prokuroritë nga kanë ardhur, të gjitha lëndët të kalojnë në prokurorinë shtetërore dhe ti sigurohet pavarësia financiare.
Transferi i lëndëve për socialdemokratët paraqet dhënie fund të të gjitha proceseve gjyqësore të PSP-së kundër bashkëpartiakëve të tyre.Kryeparlamentari Talat Xhaferi seancën e parë pas pushimit një mujor e ka caktuar më 27 gusht, ku do të diskutohet propozim ligji qeveritar për prokurori.
Në të parashikohet që PSP ti bashkangjitet prokurorisë së Villma Ruskoskës dhe të drejtohet nga ajo me të drejtën e caktimin të buxhetit.
Prokurorët special, porpozohet të vazhdojnë të punojnë në këtë Prokurori të re. Mandati i tyre përfundon më 15 shtator me të drejtën e rizgjedhjes.
MERAL ISMAILI
