Maqedoni
Besimi: Synojmë ruajtjen e rekomandimit për fillimin e bisedimeve
11.09.2014 18:27
Edhe në raport-progresin e radhës për Maqedoninë të Komisionit Evropian, vendi synon të ruaj rekomandimin për fillimin e bisedimeve...

Këtë e deklaroi për TVM-2 zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Fatmir Besimi. Ai sqaron se institucionet vendore aktualisht po punojnë në përmbushjen e reformave në sektorin e gjyqësisë, kodin zgjedhor, lirin e shprehjes, marrëdhëniet e mira ndëretnike, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe dialogun politik, të cilat ishin theksuar në raportin e kaluar.
“Sa i përket raportit të progresit për RM-në, ne do të vazhdojmë të punojmë, që me reformat e parapara të shënojmë rezultate, ashtu që të ruajmë edhe këtë vit rekomandimin për të filluar bisedimet. Kjo është me rëndësi që ne edhe në këtë raport të BE-së të kemi rekomandim për të filluar bisedimet në të gjitha fushat, duke treguar këtu reforma të mëtutjeshme në gjyqësor, reforma për kodin zgjedhor, për lirinë e shprehjes në marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe aktivitete për të treguar fqinjësi të mirë”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
Edhe sa i përket zgjedhjes së komisionarit të ri për zgjerim të BE-së, Besimi thekson se me rëndësi për vendet e rajonit është se në agjendën e BE-së vazhdon të mbetet zgjerimi.
“Sa i përket përbërjes së re të Komisionit të Evropës, dua të them që është me rëndësi që agjenda për zgjerim edhe në këtë përbërje të komisionit gjen një komisar të posaçëm për zgjerim dhe marrëdhëniet fqinjësore në kuadër të Evropës dhe është me rëndësi që gjatë kësaj periudhe edhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është proces i cili është pjesë e konceptit të BE që nga themelimi i saj”- theksoi Besimi.
Por, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, pranon se pengesë kryesore për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE është kontesti i emrit.
“Çështja e emrit është temë e cila duhet të zgjidhet, ne duhet të jemi të gatshëm për kompromise në këtë, kompromise të cilat do të jenë të arsyeshme për të dyja palët, me qëllim që vendi të ecë përpara drejt integrimit euroatlantik, gjegjësisht anëtarësimit të plotë në NATO dhe fillimit të bisedimeve me BE për anëtarësim të plotë në BE. Është me rëndësi edhe një shtytje apo përkrahje më e madhe nga faktorët ndërkombëtar, nga vendet të cilat njihen si miq dhe partner strategjik edhe të Maqedonisë edhe të Greqisë, siç është SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe vendet e tjera”- tha Besimi.
Besimi vlerëson se marrëdhëniet ndëretnike janë themel i një stabiliteti të brendshëm politik dhe shoqëror në vend, që parashihet edhe me Marrëveshjen e Ohrit.
SANIJE KASAMI
