RMV dhe Bullgaria, marrëveshje bashkëpunimi në pushtetin lokal

20.08.2019 15:54

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria thellojnë bashkëpunimin në fushën e pushtetit lokal....

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria thellojnë bashkëpunimin në fushën e pushtetit lokal. Dy ministrat e këtij resori Milevski dhe Avramova nënshkruan memorandum bashkëpunimi në Shkup.

Ky memorandum sipas tyre është rezultat i implementimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë, që kanë nënshkruar qeveritë e dy vendeve.

Me nënshkrimin e Memorandumit do të forcohet kapaciteti në fushat e zhvillimit rajonal, bashkëpunimit ndërkufitar dhe vetëqeverisjes lokale.

“Ne do të përfitojmë nga njohuria dhe përvoja e homologëve tanë nga Bullgaria fqinje në zbatimin e politikave dhe projekteve evropiane. Përfshirja jonë më e madhe në politikën rajonale të Bashkimit Evropian si shtet do të nënkuptojë gjithashtu mjete më të mëdha për të stimuluar zhvillimin në të gjithë vendin” – u shpreh Ministri i Pushtetit lokal, Goran Milevski.

“Dialogu i vendosur politik do t'i japë një impuls edhe më të fortë të gjitha fushave të bashkëpunimit. Marrëveshja e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë, e nënshkruar midis qeverive të dy vendeve, parashikon bashkëpunim pragmatik, siç është përmirësimi i komunikimit në infrastrukturë.” – tha Ministrja e zhvillimit rajonal dhe zhvillimit urban të Bullgarisë, Petja Avramova.

Të dy ministrat nënvizuan gjithashtu bashkëpunimin aktual në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar të financuar përmes programit IPA të BE-së, në kuadër të së cilës për periudhën e dytë të programit janë siguruar 19.5 milion Euro nga Bashkimi Evropian.

48 projekte janë tashmë në zbatim, ndërkohë që para një muaji në Sofje u nënshkruan kontratat për zbatimin e 17 projekteve të reja. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)